EMISIONI VETTING
Të pagjykuarit, alarm shifrash në komisariate
Pas Amnistisë që hyri në fuqi disa ditë më parë, theksi u vu te numri shumë i lartë i atyre që presin të gjykohen, ku rrezikojmë të kemi më shumë që presin vendime se sa ata që janë dënuar. Madje, sipas një raporti tjetër të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për gjendjen në burgjet e Shqipërisë.
Thuhet se, “një pjesë e të arrestuarve qëndrojnë për ditë të tërë në komisariate dhe nuk dërgohen në paraburgime sepse nuk ka vende. Madje, ka vonesa edhe në transferimin e tyre”.
“Mbajtja në ambientet e dhomave të sigurisë pranë DVP-ve për periudha të zgjatura, në tejkalim të afateve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Konkretisht, edhe gjatë vitit 2022 janë evidentuar raste të mos transferimit në kohë pranë IEVP-ve të personave të arrestuar/ndaluar që trajtohen në ambientet e Policisë së Shtetit, ndaj të cilëve gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, vonesa të cilat shkojnë deri në 3-5 ditë pas marrjes së masës së sigurimit të dhënë nga gjykata.
Vonesat në transferime vijnë si rezultat i mospranimit nga IEVP-të të personave me masën e sigurisë “arrest në burg”, me argumentin se ka mbipopullim dhe mungesë të ambienteve për akomodim në IEVP, por edhe për shkak të mangësive në dokumentacionin shoqërues të përgatitur nga ana e Policisë” thuhet në raport.
Por edhe ata që janë brenda janë në kushte jo normale.
KLSH e vendos theksin edhe tek e drejta e qytetarëve që nuk kanë mundësi për të pasur një mbrojtës ligjor falas. “Në kuadër të parimit të mbrojtjes efektive, sa i përket përcaktimit të pamjaftueshmërisë financiare, Ministria e Drejtësisë i është referuar modelit Slloven dhe përcaktimeve ligjore që ky vend parashikon.
Megjithatë, ekspertet kanë konstatuar se implementimi i këtij përcaktimi ligjor është i cunguar, pasi Sllovenia, në ndryshim nga vendi jonë, ka të përcaktuar minimumin jetik, i cili reflektohet edhe në përcaktimin e pagës minimale. Në kushtet kur, Shqipëria nuk ka të miratuar një ligj për përcaktimin e minimumit jetik, përllogaritja e kufirit të pamjaftueshmërisë financiare duke marrë në konsideratë vetëm të ardhurat e një personi, por jo shpenzimet e nevojshme dhe të detyrueshme për jetesë është e cunguar.
Kjo rrezikon të përjashtojë nga skema individë, të cilët kanë realisht nevojë për ndihmë juridike falas. Njëkohësisht, edhe mungesa e hartimit të listave të posaçme për përfaqësimin ligjor të të miturve dhe përcaktimi i përfaqësuesve ligjorë të ndryshëm në faza të ndryshme të procesit penal, si për të miturit ashtu edhe tek personat madhorë, ndikon negativisht në efektivitetin e procesit të mbrojtjes së tyre” thuhet në raport.
Amnistia, falja e tepruar e shtetit
Amnistia ishte diçka e pritur, sidomos për drejtuesit e burgjeve dhe të sigurisë në këtë sektor, pasi, sipas tyre, amnistia pritet t’u japë frymëmarrje disa prej problematikave që ishin theksuar nga disa raporte të ndryshmeve të kontrolleve në burgje. Por, ajo që nisi si një “akt humanizmi”, prodhoi edhe paradoksin e fortë në betejën kundër korrupsionit, pasi mbi 100 persona të hetuar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfituan lirim.
Neni 75/a mbi kompetencat e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rendit kategoritë e funksionarëve që gjykohen nga Gjykata e Posaçme dhe aty përmenden Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave, Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, të ILD, Kryetarët e Bashkive, Deputetët etj., të cilët në këtë amnisti nuk duhet të përfitojnë.
Sipas Ligjit të miratuar në Kuvend për Amistinë, përjashtohen nga vuajtja e dënimit jo vetëm burrat dhe gratë që janë dënuar përkatësisht për krime me dënime deri në katër dhe pesë vjet burgim respektivisht (sipas kritereve të renditura në ligj), por edhe të burgosurit burra që u kanë mbetur katër vite burg dhe pesë vjet për gratë. Mbi këtë llogari, u liruan 730 të burgosur.
Fasha e dytë e aplikimit të amnistisë është ajo e zbritjes së dënimit, nga e cila përfitojnë zbritje në dënim me dy vjet gratë dhe një vit e gjysmë burrat. Në këtë pikë llogaritet të fitojnë ulje të dënimit 1600 persona.
Parashikimi i tretë i vazhdimësisë së amnistisë përfshin ata të dënuar nga gjykatat me dënim alternativ si dhe me mbylljen e procedimeve penale në Prokurori.
Hetimet e pashqyrtuara apo nën proces shqyrtimi që do të “falen”, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, kanë si prag veprat e kryera deri në 31 mars 2024, si dhe ata që janë kallëzuar, hetuar apo janë nën gjykim për manifestimet e kryera deri më të njëjtën datë.
Drejtoria e Burgjeve nuk ka të dhëna për emrat e të burgosurve që do iu ulet dënimi – për burrat 1 vit e gjysmë dhe për gratë dy vjet nga dënimi i mbetur. Këta të fundit llogaritet te jenë rreth 1300 persona.
Edhe Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm nuk kanë evidentuar cilët janë shtetasit që përjashtohen nga hetimet për veprat penale të kryera deri në datën 31 mars 2024, për krime që Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak parashikon dënime deri në dy vjet burg.
Nga ana tjetër, më shumë se 2200 të dënuar në shërbim prove, përfitojnë nga kjo amnisti. Shifra konfirmohet nga zyra juridike pranë Drejtorisë së Shërbimit të Provës. Edhe në këtë institucion lista mbahet ende sekrete.
Një investigim nga INA Media publikoi fakte se ish kryetarë bashkie apo ish anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Tenderave, si ai i Uniformave të Policisë së Shtetit, dhe i dosjes së Bashkisë Lushnjë, që morën dënim alternativ, u liruan. Po kështu, ish zyrtarët në shërbim prove, që janë hetuar nga SPAK, gjithashtu pritet të përfitojnë nga kjo amnisti.
Sa na kushtojnë të dënuarit
Shqipëria, sipas të dhënave zyrtare, ka 5.447 të burgosur, që përbëjnë rreth 0.2 % të popullsisë. Sipas një raporti të hartuar nga prezenca e OSBE dhe Drejtoria e Burgjeve, një i burgosur i kushton shtetit shqiptar nga 369 euro deri në 1380 euro në muaj, sipas kategorive.
Një i paraburgosur ka kosto ditore 14.63 euro, një i burgosur që vuan dënimin i kushton shtetit 12.3 euro në ditë dhe një i dënuar por i sëmurë i kushton shtetit 46.23 euro në ditë. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, kostoja reale mujore për një të dënuar është 800 euro, ose afërisht 9 mijë euro në vit. Kjo është shifër e lartë edhe më shumë se sa në disa vende të tjera në Evropë.
Sipas raportit të Këshillit të Evropës për vitin 2022, Shqipëria renditet ndër vendet që ka numrin më të lartë të të burgosurve në raport me popullsinë, me 176 për 100 mijë banorë. Shqipëria rendit ndër vendet e para të Evropës me numrin më të lartë të burgosurve dhe paraburgosur. Krahasuar me vitin 2021 vihet re një rritje e numrit të të burgosurve në Shqipëri për 100 mijë banorë me 8.2%.
Në një studim të mëparshëm të Kombeve të Bashkuara, rezultonte se “norma e lartë e të burgosurve ndikonte në ekonominë e një vendi prej kostove të mbajtjes së individëve në izolim, si dhe në kostot ekonomike të vetë individit pas daljes nga burgu, pasi ata kanë vështirësi për gjetje pune dhe mungesë socializmitë”.
Epilog
Riedukimi në fjalorin shqip, në përkufizim, do të thotë “edukoj dikë përsëri për t’i ndryshuar pikëpamjet, qëndrimin ose sjelljen”
Por, realisht, sa e vështirë është të riedukosh? A mundemi ne t’i rikthejmë me dinjitet personat e burgosur dhe a i trajtojmë ne ata si qenie me dinjitet në kohën që ata kryejnë dënimin? Kjo mbetet një sfidë tjetër…
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al