EMISIONI VETTING/ Faktet e siguruara nga “Vetting” zbulojnë se kjo skemë po aplikohet në pozicionet më delikate të administratës fiskale.
Rasti Estela Dura, e cila është ngarkuar me detyrë si drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj (VIP), është ndër më kompleksët. Prej afro një viti, Estela Dura qëndron në këtë post kyç, ndërsa zyrtarisht paguhet si Drejtoreshë Rajonale e Tatimeve Tiranë. Ky pozicion i është dhënë me urdhër të drejtorit aktual, Ilir Binaj.
Rasti i Erilinda Lalës evidenton se sipas burimeve jozyrtare, pritet të ndodhë një rrokadë, ku ajo do të zëvendësojë Estela Durën. Misioni i Erilinda Lalës në Tatimet e Tiranës duket se ka përfunduar, pasi ka “goditur në shenjë” bizneset e kryeqytetit. Edhe Lala vazhdon të jetë e komanduar prej afro një viti, pa kaluar në filtrat e DAP-it.
Arbëri Ametbejasi mban një nga postet më të rëndësishme, atë të drejtuesit të Strukturës së Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara në nivel qendror. Pasi la funksionet në Vlorë, ai u transferua në Drejtorinë e Përgjithshme pa asnjë transparencë publike, pa CV të publikuar dhe pa procedurë konkurrimi të dokumentuar nga Departamenti i Administratës Publike.
Një tjetër rast i diskutueshëm është ai i juristes Armela Tafani, e cila mban një pozicion drejtues në administratën fiskale pa pasur gjurmë të qarta të karrierës së saj të mëparshme. Referuar viteve të eksperiencës, ngrihen pikëpyetje serioze nëse ajo plotëson kriteret për të ushtruar një funksion drejtues në administratën tatimore.
Dokumentet zbulojnë se ky model ka qenë i konsoliduar që në kohën e Ceno Klosit. Sipas avokatit Laska: “Duke anashkaluar hallkat e meritokracisë, rekrutohen ‘ushtarë’ të partisë. Në këtë mënyrë, ai person që nuk e ka nivelin e duhur të kualifikimit dhe e di që vendin e punës nuk e ka marrë me meritë, por si rezultat i shërbimit ndaj partisë, është i gatshëm të kryejë edhe shkelje të tjera për të qëndruar në atë pozicion.”
Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil ka marrë në shqyrtim dosjet e zyrtarëve Gjergji Smokthina, Altin Demiraj dhe Asqeri Mirashi.
Për të tre këta nëpunës, institucioni ka përdorur të njëjtin mekanizëm të “ngarkimit në detyrë”, duke shkelur nenin 48 të Ligjit nr. 152/2013.
Gjergji Smokthina u emërua në vitin 2022 përmes DAP-it, por në vitin 2024 u përfshi në një cikël të vazhdueshëm transferimesh në funksione të përkohshme, pa afat të përcaktuar, duke shkelur edhe nenin 26 për konkurrimin e hapur.
Altin Demiraj kaloi nga kontrolli tatimor në funksione operative dhe anasjelltas, pa një bazë të qartë ligjore, në kundërshtim me parimin e transparencës të Kodit të Procedurës Administrative.
Mbi të gjitha, ky kaos u shoqërua edhe me shkelje të rënda lidhur me pezullimet vullnetare. Punonjës si Besnik Seferaj, Edvin Gruçka dhe Agron Nuredinaj, pasi përfunduan afatet e pezullimit, u përballën me pritje pa fund dhe vonesa të qëllimshme administrative, në kundërshtim me ligjin për nëpunësin civil.
Ndërsa ligji shkelet brenda zyrave qendrore, në terren pasojat janë dramatike. Më 24 prill 2026, Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve të Papaguara pranë Tatimpaguesve të Mëdhenj bllokoi llogaritë bankare të kompanisë “Birra Korça” pa asnjë njoftim paraprak, ndërkohë që çështja ishte ende në proces ankimimi gjyqësor.
Në këtë proces administrativ arbitrar dalin në dritë dy emra: Brunilda Llaci, drejtoreshë e kësaj drejtorie, dhe inspektori Ermal Zhegaj.
© Panorama.al












