
TIRANE – Dy persona kanë tentuar vetëvrasjen gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë, ndërsa një i moshuar ka rënë nga kati i pestë i një pallati duke gjetur vdekjen. Burime nga Policia thanë se ngjarja e parë ndodhi të martën në Vorë, kur policia u njoftua se 19-vjeçarja Xhuljana S. kishte tentuar vetëvrasjen, duke prerë fytin me një thikë. Ngjarja ka ndodhur në banesën e saj, por fatmirësisht vajza është gjetur e përgjakur nga familjarët dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak, ku mësohet se e ka kaluar rrezikun për jetën. Ndërsa disa orë më vonë, një 28-vjeçar është gjetur i gjakosur në rrugë nga kalimtarët, të cilët kanë lajmëruar menjëherë policinë. Burimet thanë se Fatmir Z. është gjetur pa ndjenja pranë Piramidës, në bulevardin “Bajram Curri” dhe është transportuar menjëherë në urgjencën e qendrës spitalore “Nënë Tereza”. I riu kishte prerë damarët e të dy krahëve, por mjekët kanë arritur ta mbajnë në jetë dhe tashmë ai e ka kaluar rrezikun. Ndërsa ka shpjeguar për oficerët e policisë se ka tentuar të kryejë vetëvrasje sepse vuan nga një sëmundje e rëndë në mëlçi. Pasditen e djeshme, një 72-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë nga kati i pestë i një pallati. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00, në një pallat pranë Hipotekës, kur i moshuari, që sipas të afërmve ishte i verbër, ka dalë në ballkon dhe nga aty ka rënë në tokë në rrethana ende të paqarta duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas burimeve mësohet se në kohën kur ka ndodhur ngjarja, 72-vjeçari ndodhej vetëm në shtëpi.











