Vetëvendosje bllokon me SMS telefonin e Kryeministrit Thaçi

Aug 27, 2012 | 12:38
Hashim Thaci

Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur të mos u ndahet as të dielave “persekutimit” të Kryeministrit të vendit dhe tre prej ministrave të tij, që janë përfshirë në një proces të debatueshëm privatizimi. Telefoni celular i Kryeministrit Hashim Thaçi, si dhe i ministrave Besim Beqaj, Bedri Hamza e Mimoza Kusari-Lila, janë bllokuar nga qindra mesazhe kundër procesit të privatizimit. Nëpërmjet SMS-ve, që kanë përmbajtjen e njëjtë, katërshja qeveritare është “këshilluar” nga anëtarët dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje që në asnjë mënyrë të mos e privatizojnë PTK-në, KEK-un dhe Trepçën. Ata nuk janë ndaluar dhe kanë vazhduar edhe me postën elektronike në adresat personale të katër zyrtarëve shtetërorë, duke kërcënuar që privatizimin e këtyre tri ndërmarrjeve do ta ndalin duke dalë në rrugë së bashku me familjarët e tyre. Aksioni në celularë erdhi një ditë pas nxjerrjes së afisheve me “urdhër-arreste” të Kryeministrit dhe tre ministrave të lartpërmendur. Të shtunën e kësaj jave, në mëngjes herët, Policia e Kosovës ndaloi tre persona që po shpërndanin dhe ngjisnin afishet, në të cilat ishte vendosur një urdhër për arrestimin e Kryeministrit Hashim Thaçi dhe tre ministrave të tjerë. Në “dokument” ishte vendosur edhe vula e Policisë së Kosovës, por zyrtarët u shprehën se është e falsifikuar. Vetëvendosje akuzon qeverinë se është përfshirë në çështje korrupsioni me privatizimet.

© Panorama.al

Te lidhura