Vetëvaret studenti i Ekonomikut

May 11, 2012 | 13:24

Abdulla Cenga, 22-vjeçari që u vetëvar

Shoku i dhomës: Abdulla Cenga nuk kishte shfaqur probleme. Hetim jetës së dibranit.

Durrës, 22-vjeçari gjendet i pajetë në banesën me qira.

Gjendet i varur në ballkonin e banesës ku jetonte me qira studenti i universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, 22-vjeçari Abdulla Cenga. Studenti i Ekonomikut është parë i varur në ambientet e jashtme të banesës që e ndante me një bashkëmoshatarin e tij, ndërsa deri më tani mbetet mister shkaku që i mori jetën djalit nga Dibra. Ngjarja e rëndë është regjistruar në lagjen 13 të qytetit bregdetar, rreth orës 22:00 të së mërkurës, në një zonë tejet të populluar. Kanë qenë pikërisht kalimtarët e rastit ata që kanë sinjalizuar policinë, ndërsa kjo e fundit me të mbërritur në vendin e ngjarjes nisi hetimet për zbardhjen e saj. Policia deklaroi se kemi të bëjmë me një vetëvarje, ndërkohë që po heton në të gjitha pistat e mundshme, pa përjashtuar asnjë. Në momentet që i ka dhënë fund jetës, 22-vjeçari ka qenë i vetëm në shtëpi, pasi vetëm disa minuta më parë (rreth orës 21:45) qirandarësi i tij kishte dalë nga banesa për të kryer disa punë, që kishin të bënin me studimet. Shoku i dhomës së viktimës ka deklaruar përpara grupit hetimor se nuk është në dijeni të ndonjë konflikti që Abdullai mund të ketë pasur me persona të tjerë. “Nuk di se çfarë të them. Nuk ma merrte mendja kurrë që Abdullai t’i jepte fund jetës në këtë mënyrë. Kemi disa muaj që ndajmë të njëjtën shtëpi dhe nuk kemi pasur asnjëherë probleme. Abdullai ishte një djalë i qeshur dhe shumë i shoqërueshëm. Nuk di të ketë pasur ndonjë problem qoftë financiar, apo edhe lidhur me studimet. Madje, ai ishte një student i mirë dhe merrte pjesë rregullisht si në leksione, ashtu edhe në seminare. Nuk është se qëndronim gjatë gjithë kohës bashkë, pasi kishim shoqëri të ndryshme. Në fakt, nuk e di se ç’bënte gjatë kohës që s’ishim bashkë, sikurse nuk jam në dijeni se me ç’persona shoqërohej. Nuk jam në dijeni të asnjë fakti që ka shtyrë Abdullain të ndërmerrte këtë akt”, kështu ka deklaruar ndër të tjera shoku i dhomës, i cili është edhe personi që është përshëndetur i fundit me 22-vjeçarin. Ngjarja duket me shumë mistere brenda, prandaj grupi i hetimit, që është caktuar për zbardhjen e saj po punon në disa drejtime, duke mos përjashtuar asnjë pistë. Policia nga hetimet e para nuk ka mundur dot të përcaktojë shkakun që çoi deri në vetëvarje 22-vjeçarin, prandaj po hetojnë edhe në drejtime të tjera, siç është ndonjë konflikt i hershëm, apo edhe i çastit me persona ende të panjohur nga policia. Policia ka marrë në pyetje edhe familjarët e viktimës, të cilët mësohet se kanë mohuar që i familjari i tyre të këtë pasur probleme që mund ta çonin 22-vjeçarin deri në vetëvrasje.

Bllokohen telefonët
Ekspertët e Krimeve kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm si brenda, ashtu dhe jashtë banesës në të cilën 22-vjeçari u gjet i pajetë. Ata bllokuan gjithçka që mendojnë se do t’i ndihmojë për zbardhjen e ngjarjes, ndër të tjera edhe telefonin e viktimës. Ekspertët kanë besim se tabulatet telefonike do t’u japin përgjigje të gjitha pyetjeve lidhur me ngjarjen e rëndë, ndërsa nga SMS-të nuk gjetën asnjë gjë që mund t’i ndihmojë për zbardhjen e ngjarjes që tronditi jo vetëm familjen Cenga, por edhe ata që njiheshin me viktimën.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura