
Vetëvaret tre muaj pas arrestimit të të birit 26- vjeçar.Robert Pine vendosi t’i japë fund jetës duke u vetëvarur në ambientet e një shtëpie në ndërtim e sipër, pasi djali i tij, Bledion Pine, u prangos për kanosjen me armë zjarri të dy prindërve të tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30 të së dielës në fshatin Kreshpanj të Korçës. Policia bëri të ditur se viktima Robert Pine u gjet i pajetë në kuzhinën e banesës së tij, e cila ishte në ndërtim e sipër. Vetëm pak muaj më parë familja Pine kishte nisur të ndërtonte një banesë, pasi ekzistuesja ishte tejet e amortizuar. Por, arrestimi i djalit të viktimës dhe tentativat e dështuara të tij për të vërtetuar pafajësinë e të birit kanë shkaktuar ngarkesa emocionale. Sipas burimeve të policisë, Pine është larguar nga shtëpia ku jetonte me bashkëshorten, duke i pohuar asaj se do të shkonte për të parë punimet në banesën që po ndërtonin. Vonesa e 57-vjeçarit në orët e mbrëmjes i është dukur e pazakontë bashkëshortes, e cila ka shkuar ta kërkojë. Në momentin që i është afruar shtëpisë, gruaja ka parë trupin e pajetë të të shoqit të varur në kuzhinën e banesës që po ndërtohej. Ajo ka njoftuar menjëherë kryeplakun e fshatit, ndërsa ka dhënë alarmin edhe për fqinjët e tjerë. Kryeplaku mbërriti menjëherë në vend, por gjatë rrugës ai kishte dhënë sinjalin edhe në policinë e Korçës. Nga deponimet e bëra në polici, bashkëshortja e 57-vjeçarit ka rrëfyer se ai nuk vuante nga sëmundje depresive, por ka pasur një ngarkesë psikologjike si pasojë e disa problemeve familjare. Policia tha se më 28 prill të këtij viti është arrestuar djali i tij, Bledion Pine, për kërcënimin me armë zjarri të prindërve. Gjatë kontrollit të banesës të riut iu gjet një armë zjarri automatik “Kallashnikov”, punim artizanal, si dhe 20 copë fishekë. Po në cilësinë e provës materiale i është sekuestruar edhe një armë gjahu. Pas prangosjes, prindërit e tij kanë deponuar në polici se i biri i dhunonte ata sistematikisht dhe se ai i kishte kërcënuar ata me armë, gjë e cila dyshohet se mund të ketë qenë edhe një ndër shkaqet që sollën ngarkesat psikologjike te babai i tij. Duke mos përballuar dot faktin se ai kishte qenë denoncuesi i të birit, 57-vjeçari ka vendosur që të kryejë aktin fatal të vetëflijimit. Rrëfimet e gruas së viktimës kanë favorizuar zbardhjen e ngjarjes nga ana e policisë, e cila ka arritur në përfundimin se vetëvrasja e 57- vjeçarit është kryer pas stresit të përjetuar së fundi.
2 arme
zjarri, njëra prej të cilave automatik “Kallashnikov”, punim artizanal me 20 fishekë, si dhe tjetra një armë gjahu, u sekuestruan në banesën e 26-vjeçarit Pine, pas kontrollit të ushtruar nga policia e Korçës.
Policia arrestoi në prill 26-vjeçarin
Më 28 prill, policia e Korçës bëri të ditur, nëpërmjet njoftimit për shtyp, se ka arrestuar një 26-vjeçar për shkak se kishte kërcënuar me armë zjarri dy prindërit e tij. “Bledion Pine, 26 vjeç, banues në fshatin Kreshpanjm ka kërcënuar prindërit e tij për motive të dobëta”, thuhej në njoftimin e Policisë.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











