Vetëvaret në pemë te Liqeni ish-ushtaraku

May 12, 2012 | 14:05
Liqeni Artificial në Tiranë

TIRANE – “Do vras veten se nuk mund të vazhdoj më. Jam shumë i stresuar. Kur të gjesh trupin tim, mos më prek pa ardhur ekspertët…”. Ky është teksti i pjesshëm i letrës së lamtumirës që një ish-oficer Ushtrie, që aktualisht merrej me tregti, i ka lënë djalit një ditë para se të varte veten në një prej pemëve të Liqenit Artificial në Tiranë. Mesditën e djeshme, policia u njoftua se te kodrat e Liqenit Artificial, pranë Fakultetit të Gjeologji-Minierave, ishte parë i varur në pemë një burrë. Policia e Komisariatit Nr.1 ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, duke konstatuar ngjarjen. Viktima është identifikuar menjëherë, pasi familjarët e tij e kishin denoncuar të zhdukur një ditë para se të gjendej. Burimet thanë se viktima është Halim Vata, 62 vjeç, nga Kukësi dhe banues në rrugën “Mihal Grameno”, në Tiranë. Burime nga Policia thanë se, nisur nga letra që ai i kishte lënë të birit, Erion Vata, ku i shpjegonte edhe vendin se ku do të vriste veten dhe ku ta gjente, si dhe nga deklarimet e të afërmve, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkaqe depresioni. Pavarësisht gjendjes mjaft të mirë ekonomike të familjes së tij, duket se 62-vjeçari po kalonte një periudhë të rënduar psikologjike, që ende nuk e shpjegojnë dot as familjarët e tij. Halim Vata ishte denoncuar në Komisariatin Nr.1 të Policisë si i zhdukur mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 20:00. Denoncimi është kryer nga kunati i tij, Përparim Hasa, i cili shpjegonte para oficerëve të policisë se 62-vjeçari ishte larguar nga apartamenti i tij rreth orës 10:00 të mëngjesit të së enjtes dhe nuk ishte kthyer më në banesë. Gjithashtu nuk u përgjigjej në telefon asnjërit prej familjarëve, por i kishte lënë një letër të birit, letër e cila, pasi viktima u gjet i varur në pemë, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

© Panorama.al

Te lidhura