Vetëm këndvështrimi i djathtë

Jun 2, 2012 | 13:21

SAMI NEZA

Këmbëngulja e opozitës për të negociuar jo më Presidentin e të gjitha palëve, por një President të propozuar nga opozita, cenon rëndë vetitë e maxhorancës në një shtet demokratik dhe fitoren e zgjedhjeve të vitit 2009, fitore prej së cilës nuk ndahet as me ligj dhe as me moral edhe zgjedhja e Presidentit. Qysh prej propozimit me emër të kandidatit presidencial nga ana e maxhorancës, opozita ka ndryshuar kryekëput tekstin e saj për çështjen, ka hedhur pas shpine strategjinë e “fushatës” presidenciale që e lidhi me rrëzimin e qeverisë dhe tani kërkon një kandidat konsensual, i cili mund të jetë i tillë vetëm nëse propozohet nga opozita. Pa marrë parasysh raportet politike në Parlament dhe pa i lexuar qoftë për një çast pozicionin e të gjitha palëve në këtë proces, ajo bën fëmijën e llastuar pasi ka mësuar se të rriturit nuk duan ta lënë ta qajë, por as duan ta mësojnë me dhurata false. Maxhoranca kërkon që opozita të jetë pjesë e procesit aq sa i takon minorancës të jetë pjesë e tij. Por opozita kërkon ta tejkalojë këtë prag. Ajo sheh ta udhëheqë procesin dhe jo thjesht të jetë pjesë e tij. Kjo dukej qartë edhe në deklarimet e fundit të Ruçit ku përkufizon si konsensus vetëm atë që prodhohet mbi propozimet e opozitës. Kjo kërkesë do të ishte realiste në kushtet e Kushtetutës së pandryshuar të para 2008-s, kur maxhoranca nuk i ka 84 vota. Atëherë asaj i duhet të negociojë me opozitën për Presidentin në këmbim të mbajtjes së pushtetit, duke shmangur zgjedhjet e parakohshme. Në këtë rast, konsensusi në një procedurë normale dhe pa prapaskena do të zhvillohej sipas përkufizimit të Ruçit. Po ashtu, kërkesa e opozitës do të ishte realiste nëse maxhoranca qeveritare nuk përkthehet edhe në maxhorancë presidenciale, pra maxhoranca nuk do të kishte 71 vota për të zgjedhur Presidentin. Atëherë sërish roli i opozitës për të mbushur boshllëkun e maxhorancës në numrin e votave është thelbësor dhe pikërisht për këtë shkak opozita do të kërkonte kuota të reja për rolin e saj në proces. Por, në kushtet aktuale nuk kemi të vetmen zgjedhje për Presidentin 84 vota, pasi mund ta zgjedhim edhe me 71, ndërsa maxhoranca qeveritare ia ka dalë të përkthehet në maxhorancë presidenciale duke siguruar konsensus për një kandidat që e ka të sigurt që merr 73 vota me mundësinë për të shkuar deri në 75 të tilla.
Tani, përveçse numrat nuk favorizojnë një rol të shtuar të opozitës në këtë proces, as emri që ka propozuar maxhoranca nuk frymëzon shumë për të ndriçuar një rrugë tjetër për opozitën në fund të së cilës do të ishte një kandidat i ri i propozuar prej saj. Edhe ky shteg ngjan të jetë i mbyllur, pasi emri i juristit dhe diplomatit Xhezair Zaganjori është i baraslarguar nga pritshmëritë e opozitës për emrin e Presidentit po aq sa edhe nga pritshmëritë e PD për kandidatin që kishte paralajmëruar Kryeministri Berisha. Opozita kishte deklaruar nëpërmjet kryetarit të saj Rama se nuk do të jepte konsensus për asnjë kandidat të dalë prej Partisë Demokratike, ndërkaq PD kishte deklaruar nëpërmjet kryetarit të saj se do të kandidonte një prej drejtuesve kryesorë të PD-së, duke përjashtuar veten.
Zaganjori, ndërkaq, është testuar në të tjera votime në Parlament, ku ka marrë edhe mbështetjen e së majtës. Më 2003-shin u votua me konsensus si anëtar i Gjykatës Kushtetuese në një pozicion në të cilin pati mundësinë të theksonte respektin ndaj ligjit dhe përgjegjshmërinë ndaj vendit. Zaganjori është relatori i çështjes së Marrëveshjes me Greqinë mbi kufirin detar, pra është kontribuuesi kryesor në rrëzimin e kësaj marrëveshjeje nga Gjykata Kushtetuese, e cila ndërkaq është edhe një ndër kauzat e fituara prej opozitës, ndoshta e vetmja që prej shtatë vitesh. Nëse bisedon më një gjykatës të Kushtetueses lidhur me atë vendim, e merr vesh se është nga vendimet më të rëndësishme që ka dhënë Gjykata Kushtetuese që nga krijimi i saj, qoftë nga pikëpamja e debatit që u zhvillua rreth marrëveshjes, e qoftë për shkak të përfshirjes së shumë parimeve e nocioneve të së drejtës ndërkombëtare si Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit të vitit 1982, si dhe Konventa e Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve të vitit 1969, të cilat kërkonin ndër të tjera një cilësi të lartë të relatorit, që në këtë rast ishte kandidati për President.
Deputeti i PS, Saimir Tahiri, ka deklaruar se Zaganjori ishte kundër shqyrtimit të çështjes së paditur nga PS. Në fakt, e gjithë Gjykata Kushtetuese ka votuar atëherë për të delegjitimuar të gjitha partitë e tjera, pesë të tilla, që kishin firmosur kërkesën bashkë me PS. Dihet tashmë se edhe qëndrimi i katër gjyqtarëve që ishin kundër legjitimimit të kërkesës edhe nga PS theksuan atëherë se qëndrimi i tyre nuk mund ta pengonte Gjykatën Kushtetuese të shprehej për themelin e çështjes, ndërkohë që në shumë raste të tjera nuk është mbajtur i njëjti qëndrim. Sipas gjykatësve në Kushtetuese, një pozicionim i tillë lehtësonte vendimmarrjen e Gjykatës.  Në këtë këndvështrim, argumenti i opozitës për kandidatin nuk mund të jetë i njëjtë si argumenti i opozitës për procesin. Nëse ata kanë zgjedhur si indikatorë për të matur procesin një takim Berisha-Rama, i cili ka munguar deri tani, indikatori i deklaruar prej tyre në fillim të “fushatës” presidenciale lidhur me emrin e kandidatit është plotësuar. Vetëm këndvështrimi i propozimit të Berishës është i djathtë. Gjithçka tjetër e kandidatit presidencial është pjesa që mbron e lobon fort Meta.

© Panorama.al

Te lidhura