
DURRES/ Tri ditë pas vetëvrasjes në ballkon, gjendet në pemë 28-vjeçarja. “S’jetoja dot pa Abin”
Përfundon tragjikisht historia e dy studentëve të Ekonomikut.
“Jetën time ia dedikoj Abdullait”. Përfundon tragjikisht historia e dy të dashuruarve, studentë të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Një “Romeo&Zhuljetë” e kohërave moderne u regjistrua në qytetin bregdetar, ndonëse në një distancë prej vetëm 3 ditësh. Shënimi i lënë në letrën e gjetur në trupin e pajetë të Manushaqe Margjekës, gjetur pa jetë, e varur në një prej pemëve të Kodër-Vilës, ka zbardhur motivin. Trupi i pajetë i 28-vjeçares u gjet nga policia rreth orës 08:30 të mëngjesit, në zonën e Kodër-Vilës në Durrës, pak kohë pasi ajo i kishte çuar së motrës një mesazh në telefon ku e paralajmëronte për fatin tragjik. “Më fal që po e bëj këtë veprim, por nuk mund të jetoj dot pa Abin tim”, i shkruante në SMS Manushaqja. Mbrëmjen e 9 majit, studenti Abdulla Cenga u gjet i varur, me një bluzë të tij, në ballkonin e shtëpisë ku jetonte me qira, në zonën e Plazhit. Ndërsa dje, me rripin e pantallonave, Manushaqja i dha fund jetës në një pemë. Asgjë nuk dihej për pse-në e vetëflijimit të 22-vjeçarit nga Peshkopia, i cili kishte mbyllur vitin e tretë të Ekonomikut në Universitetin e Durrësit. Deri mëngjesin e djeshëm, kur letra dhe SMS-ja e dërguar nga Manushaqja zbardhi për policinë dhe familjarët se të dy kishin pasur lidhje mes tyre. 28-vjeçarja, lindur në Bujan të Tropojës dhe banuese në fshatin Kullë të Durrësit, studionte në vitin e tretë në degën e Ekonomikut, bashkë me Cengën, aty ku dhe kishin krijuar marrëdhënie dashurie mes tyre që në vitin e dytë. Sipas Policisë së Durrësit, shkaku që çoi 28-vjeçaren të ndërmarrë aktin ekstrem ka qenë gjendja e rëndë mendore e saj. Burime të Policisë thonë se

Manushaqja ka tentuar disa herë për t’i dhënë fund jetës, por është ndaluar nga të afërmit dhe personat që i qëndronin pranë vajzës. Por, dje ajo i ka gënjyer familjarët, duke u thënë se do të shkonte të interesohej për një provim në Fakultet. Gjithçka ka qenë e planifikuar, pasi pak kohë më vonë 28-vjeçarja është gjetur e varur në degën e një pishe, pranë vilës së Mbretit Zog. “Po iki nga kjo jetë, duke ia dedikuar këtë akt të dashurit tim, Abit”, ka qenë kjo një ndër fjalitë e shkruara në letrën që iu gjet në xhepin e pantallonave Manushaqe Margjekës nga hetuesit e Policisë. Ndonëse nga ana e policisë po vazhdon hetimi për të verifikuar arsyen e vetëflijimit të dyfishtë, mendohet se shkak është bërë një debat i nisur mes çiftit prej pak ditësh. Dyshohet se diferenca e moshës nuk ka qenë e pranueshme nga familjarët e të dyja palëve për një marrëdhënie serioze mes dy të rinjve. Nga burime të afërta të viktimës Margjeka, mësohet se të dy kishin bërë plane për të ardhmen, madje kishin aplikuar për lotarinë amerikane. Njëra prej shoqeve të punës, (Manushaqja punonte në një supermarket), tha se prej disa ditësh 28-vjeçarja nuk ishte në humor dhe arsyeja ishin problemet që kishte me Abdullain, ndonëse nuk e dinte konkretisht. Në fakt, sipas të njohurve të tyre, Manushaqja dhe Abi (Abdullai, siç e quante ajo të dashurin e saj) nuk kishin shumë shoqëri tjetër dhe e kalonin kohën pothuajse me njëri-tjetrin. Ditët e fundit, të rinjtë ishin distancuar mes tyre dhe 22-vjeçari, në gjendje të rënduar, i ka dhënë fund jetës duke u varur në ballkonin e shtëpisë, në lagjen Nr. 13, në Plazh. Të njëjtin akt, larg shtëpisë së saj, e ka kryer 28-vjeçarja, duke menduar se në botën e përtejme do të jetë bashkë me të dashurin e saj. Trupi i pajetë i Manushaqe Margjekës u mbajt deri pasdite vonë në morgun e spitalit të Durrësit, por ekspertët nuk kanë gjetur ndonjë element të dyshimtë në të, veç faktit që vdekja iu shkaktua nga laku në fyt.

Pedagogia: Abdullai m’u fut mik për Manushaqen
Disa ditë më parë, Abdullaj, duke pasur admirimin e pedagogëve dhe stafit drejtues të universitetit pasi njihej si një student i mirë, i ka kërkuar një pedagogeje që ta ndihmonte ditën e provimit Manushaqen. Vetë pedagogia pohon se e ka marrë në konsideratë kërkesën e studentit. “Abdullaj ishte një ndër studentët më të mirë dhe më të sjellshëm të universitetit. Doja vërtetë ta ndihmoja, por më vjen shumë keq që nuk ia arrita dot qëllimit”, tregoi dje e përlotur pedagogia e universitetit “Aleksandër Moisiu”.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











