DURRES-VLORE – Tre të vetëflijuar në harkun e pak orëve në Vlorë dhe në qarkun e Durrësit. Sipas Policisë, shtetasi Fatmir Hysi, 47 vjeç, banues në lagjen “24 Maji” të Vlorës, është vetëdjegur dje në kushtet e një depresioni të rëndë. Ai ka lidhur veten pasi është spërkatur me lëndën djegëse dhe më pas i ka vënë flakën vetes. Ndonëse familjarët kanë ndërhyrë në një kohë të shpejtë, 47-vjeçari ka gjetur vdekjen në spital, pasi, sipas mjekëve, shkalla e djegies ishte mjaft e madhe. Po dje, në kushtet e një depresioni të rëndë, një 49-vjeçar nga fshati Katund i Ri në Durrës dhe një 53-vjeçar nga komuna Xhafzotaj i kanë dhënë fund jetës duke konsumuar fostoksinë. Policia bëri të ditur se “rreth orës 12:00, në spitalin ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, është dërguar për ndihmë mjekësore i helmuar dhe më pas ka gjetur vdekjen shtetasi Fiqeri Cyrbja, 49 vjeç, banues në Katund i Ri, në Sukth të Durrësit. Nga veprimet e para hetimore rezulton se ky shtetas është vetëhelmuar me fostoksinë”. Grupi i hetimit ka marrë në pyetje familjarët e viktimës, të cilët deponuan se ai prej disa kohësh vuante nga depresioni. Pa kaluar shumë kohë nga ngjarja e parë, një tjetër shtetas i dha fund jetës po me fostoksinë. Ai është një 53- vjeçar nga Shijaku, i cili e konsumoi lëndën helmuese në momentet kur është gjendur i vetëm. “Rreth orës 14:30 është dërguar për ndihmë mjekësore i helmuar në Spitalin e Durrësit e më pas në spitalin ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, ku ka gjetur vdekjen shtetasi Bujar Bodlli, 53 vjeç, banues në fshatin Rreth, komuna Xhafzotaj në Shijak”, bëri të ditur Policia.











