Arrestohet i akuzuari për vrasjen me makinë të djalit të xhaxhait të tij dy net më parë në Marikaj.Gazmend Çeka ra në pranga dje në orët e para të mëngjesit, pasi dyshohet se ka vrarë me makinë djalin e xhaxhait dy ditë më parë, për shkak të një konflikti pronësie. I dyshuari 34-vjeçar u arrestua në Sukth, ku qëndronte pas aksidentit të qëllimshëm në Marikaj, viktimë e të cilit ishte kushëriri i tij, Pëllumb Çeka. Pas pesë orësh negociata nëpërmjet telefonit me oficerët e policisë, që kishin zbuluar vendndodhjen e tij nëpërmjet antenave të kompanive celulare, 34-vjeçari Gazmend Çeka u bind që të dorëzohej. Ndryshe nga akuza me të cilën kërkohej menjëherë pas ndodhi ngjarja, “vrasje me dashje”, pas deklarimeve të tij në polici mësohet se është marrë masa e arrestit “vrasje nga pakujdesia”. Ngjarja për të cilën akuzohet 34-vjeçari Gazmend Çeka, ndodhi mbrëmjen e së enjtes në rrugën e vjetër të fshatit Marikaj, në autostradën Tiranë-Durrës. Ai dyshohet se përplasi qëllimisht me makinën tip “Benz C Clas” me targë TR 3756 F, djalin e xhaxhait Pëllumb Çeka, 50 vjeç, të cilit i shkaktoi vdekjen e menjëhershme. Sipas burimeve nga policia, aksidenti i qëllimshëm ndodhi pas një mosmarrëveshje që kushërinjtë kanë pasur për paratë e një trualli që viktima kishte vendosur ta shiste dhe autori pretendonte se një pjesë e parave i përkisnin atij, ashtu si edhe një pjesë e tokës.
AUTORI
Pas dorëzimit tek forcat e policisë në Sukth, i dyshuari Gazmend Çeka ka dhënë deklarime duke shpjeguar versionin e tij të ngjarjes, para oficerëve të seksionit të Krimeve Kundër Jetës. Ai pretendon se ka qenë i pirë në momentin e aksidentit dhe kushëriri i tij e ka sharë kur po kalonte pranë makinës së tij. “Nuk kam pasur asnjë qëllim për ta vrarë. Unë isha i pirë dhe, megjithëse ai më ofendoi në rrugë, unë vazhdova të drejtoja makinën me qetësi. Nuk mbaj mend shumë gjëra se si ka ndodhur e gjithë kjo, por di që më doli një makinë përballë dhe për t’iu shmangur përplasjes me të, preva timonin fort dhe devijova rrugën. Aty mund të kem përplasur pa dashje kushëririn tim”, mësohet të ketë justifikuar veprimin e tij i akuzuari. Ndryshe nga pretendimet e të arrestuarit Gazmend Çeka për një ngjarje aksidentale dhe të paqëllimshme, dëshmitarët që kanë parë ngjarjen, thonë të kundërtën. Sipas tyre, aksidenti ka qenë i qëllimshëm, madje i kryer pas shpine, teksa viktima po ecte para makinës, autori e ka përplasur me makinë. Sipas dëshmitarëve, fillimisht dy kushërinjtë, Gazmend Çeka dhe viktima, Pëllumb Çeka, kanë debatuar në këmbë, jashtë makinës. Më pas, i dyshuari ka hipur sërish në makinë dhe e ka përplasur, duke i shkaktuar vdekjen 50-vjeçarit.











