MITROVICE- Përfaqësuesit politikë të serbëve të komunave veriore të Kosovës po bëjnë përgatitjet e fundit për organizimin e referendumit më 14 dhe 15 shkurt lidhur me atë se do t’i pranojnë apo jo institucionet e Kosovës.
Qeveria e Kosovës dhe mekanizmat e pranishëm ndërkombëtarë thonë se rezultati i këtij referendumi nuk do të ketë kurrfarë efekti.
Por, serbët e veriut nuk janë tërhequr nga organizimi i tij, madje edhe pas vërejtjeve të Beogradit zyrtar, i cili ka drojën se një referendum i tillë mund t’i kushtojë Serbisë me humbjen e statusit të kandidatit për integrim në BE.
Dobrosav Dobriç, një përfaqësues serb nga Leposaviçi, duke folur per Radio Evropa e Lirë thotë se tashmë janë shtypur fletët e votimit dhe janë emëruar këshillat që do t’i përcjellin votimet gjatë referendumit.
Ai mendon se referendumi, është shprehje e lirë dhe e drejtë demokratike e serbëve të kësaj pjese të Kosovës.
Referendumi sipas tij, do ta dëshmojë qartë se a janë përfaqësuesit komunalë ata që nuk po lejojnë integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, apo ky është vullneti i popullatës së veriut që ta refuzojnë shtetin e Kosovës dhe të përqafojnë atë të Serbisë.
Serbët e veriut kanë përgatitur organizmin e votimeve në tri komunat veriore dhe pjesën veriore të Mitrovicës, duke përgatitur 82 qendra votimi.
Ata presin pjesëmarrjen e mbi 35 mijë banorëve me të drejtë vote.
Fletëvotimet e këtij referendumi përmbajnë pyetjen: “A i pranoni institucionet e Kosovës?” – dhe poshtë mbajnë edhe përgjigjet: “Po” dhe “Jo”.
© Panorama.al











