Verifikimi i pronësisë, PD rrëzon amendamentet e Mediut në Parlament

May 15, 2012 | 12:55
Komisioni i Ligjeve

Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje me votat e maxhorancës ndryshimet e propozuara nga ministrat Pollo dhe Ruli për vlefshmërinë ligjore të titujve të pronësisë. Ish-kryeministri socialist, Pandeli Majko, votoi kundër këtyre ndryshimeve, ndërsa deputetet Shega Ligori, Vasilika Hysi dhe Ermonela Felaj abstenuan. Gjatë shqyrtimit u rrëzuan shtatë amendamente të kreut të PR-së Fatmir Mediu dhe u pranua vetëm një prej tyre. Deputeti Majko vuri theksin te një dispozitë, sipas së cilës një qytetar që ka marrë mbi 10 për qind të tokës që i takon, do ta paguajë me vlerën e tokës, në të kundërt ajo do t’i kalojë shtetit. “Kjo çështja e 10 përqindëshit si është? Ju në ligj thoni se nëse një fshatar ka marrë mbi 10 për qind të sipërfaqes që i takon sipas reformës së vitit 1992, sot jeni pas 20 vjetësh. Ju do të shkoni dhe do të rishikoni çështjen e titullit të pronësisë. Nga 2008-a deri në 2012-n sa raste keni evidentuar të kësaj natyre? E kuptoni ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë që sot në Shqipëri ne legalizojmë një banesë me një oborr që është me distancë ajrore nga qendra e Tiranës rreth 5 km dhe i shkojmë në majë të malit dhe i themi se ti ke 10 për qind më shumë se sa ke tokë dhe prandaj titulli i pronësisë nuk është i vlefshëm ose do të paguash paratë”, u shpreh Majko. Ndërsa përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë, Irfan Tarelli, theksoi se “në kohën e hartimit të ligjit është menduar për shkak të gabimeve që janë bërë nga komisionet e ndarjes së tokës, ka ndodhur që një subjekt të ketë tokë tepër në një përqindje të caktuar. Në ligjin 9948 është fiksuar që në rastet kur ka deri në 10 për qind, subjekti mund ta blejë me çmimin e vlerës së tokës. Logjika ka qenë që të mos krijojmë sipërfaqe të vogla, inproduktive nga pikëpamja bujqësore, që nuk mund të shfrytëzohen”. Pavarësisht shpjegimeve të qeverisë, Majko theksoi se rrezikohet që ky proces të jetë korruptim. Nga ana e tij, Ekzekutivi vendosi që të sjellë në Komision një draft të ri sa u takon tokave bujqësore.

© Panorama.al

Te lidhura