Verdiktet, katër kampionë, 2 bien nga kategoria

May 15, 2012 | 14:52

Ky ishte një sezon i vështirë për futbollistët e Kombëtares shqiptare që luajnë jashtë dhe brenda vendit. Pjesa dërrmuese e legjionarëve nuk e kanë pasur aspak të lehtë, edhe pse nuk mungojnë ata që fundin e sezonit e kanë festuar si kampion.
Më pak me fat kanë qenë lojtarët si Ujkani dhe Roshi, skuadrat e të cilëve nuk arritën që të mbijetonin ndër më të mirat e Italisë dhe Gjermanisë. Po e nisim me Isli Hidin, që megjithëse ka luajtur shumë pak këtë sezon (90 minuta), në fund u shpall kampion me qipriotët e AEL Limasolit. Portieri shqiptar gjithsesi kaloi një vit të vështirë në këtë skuadër, pasi u aktivizua shumë pak. Kampion është shpallur edhe Besart Berisha në Australi me Brisbanën. Ai realizoi 21 gola, u shpall lojtari i vitit si dhe lojtari më mediatik. Sukajt gjithashtu i mjaftuan pak muaj për t’u ngjitur nga ferri në parajsë. U largua nga Vllaznia me një mori polemikash, por vetëm pak ditë më parë festoi titullin si kampion i Iranit me ekipin e Sepahanit. Gjergji Muzaka gjithashtu u shpall kampion me Skënderbeun. Përveç katër kampionëve që do të luajnë në Ligën e Kampioneve (jo Berisha, sepse luan në Australi), disa futbollistë të tjerë do të luajnë në Ligën e Europës. Kapiteni Lorik Cana do të marrë pjesë në këtë kompeticion me Lacion, gjithashtu edhe Jahmir Hyka i Luzernës, Edgar Çani i Polonia Varshavës, si dhe Gilman Lika i Tiranës. Bogdani shënoi katër gola me peshë për Sienën dhe i ndihmoi bardhezinjtë të mbijetonin në Serinë A. Në luftën për të mos rënë nga Kategoria ia dolën edhe Elis Bakaj me Kristi Vangjelin (Çernomorets), Dallku me Januzin (Vorskla), Andi Lila me Emiljano Vilën (PAS Janina) dhe Armando Sadiku (Lokarno). Samir Ujkani në fillim të sezonit theu dhëmballët dhe hundën te Novara, më pas theu edhe dorën në fushë, por gjithsesi ekipi i tij nuk arriti të mbijetonte në Serinë A. Pas vetëm një sezoni mes më të mirave, Novara ra nga kategoria, po me shumë gjasa portieri kuqezi do të largohet nga kjo skuadër gjatë kësaj vere. Nuk ia doli dot as Odise Roshi te Këlni, i cili zbriti në Bundesligën e Dytë.

Kombëtarja
Emri    Vjeç    Skuadra    Pozicioni

Portierë
Hidi    32    AEL Limasol    Kampion
Ujkani    24    Novara    Ra nga kat.

Mbrojtës
Teli    30    Karabak    I katërti
Agolli    29    Karabak    I katërti
Vangjeli    26    Çornomorets    I nënti
Lila    26    PAS Janina    I teti
Cana    28    Lacio    I katërti
Dallku    28    Vorskla    I teti
Curri    27    Gençlebirligi    I nënti
Mavraj    24    Grojter Furth    Kampion

Mesfushorë
Bakaj    24    Çornomorets    I nënti
Muzaka    27    Skënderbeu    Kampion
Hyka    24    Luzern    I dyti
Zeqiri    23    Rizespor    I treti
Vila    24    PAS Janina    I teti
Bulku    31    AZAL    I shtati
Roshi    20    Këln    Ra nga kat.
G.Lika    25    Tirana    I treti

Sulmues
Çani    22    Pol.Varshava    I gjashti
Bogdani    35    Siena    I 14-ti
Salihi    28    DC Junajtid    Luhet ende
Berisha    26    Brisbane    Kampion
Sukaj    24    Sepahan    Kampion
Januzi    23    Vorskla    I teti
Sadiku    20    Lokarno    I nënti

Mavraj: I emocionuar që kthehem në Shqipëri
I emocionuar se do të shkelë në Shqipëri pas pesë vitesh. Atëherë ishte ende një djalosh me të ardhme, ndërsa sot është konfirmuar. Por, atëherë atij iu lutën për të ardhur me Shqipërinë dhe tifozët e mirëpritën… deri sa më në fund e quajtën tradhtar. Mërgim Mavraj është në një situatë të pazakontë dhe e di mirë se të enjten ose të premten, kur do të zbarkojë në Tiranë, do të ketë edhe shumë siklet. “Nuk e di nëse është momenti për të folur. Di vetëm të them se jam shumë i emocionuar”, thotë qendërmbrojtësi për “Panorama Sport”. Futbollisti kosovar me pasaportë shqiptare siguroi ngjitjen në Bundesligë me Grojter Furtin këtë sezon, dhe grumbullimi në Kombëtare do të ishte kurorëzimi i një sezoni të shkëlqyer.

© Panorama.al

Te lidhura