
Fluks i jashtëzakonshëm në doganën e Morinit nga turistët dhe pushuesit kosovarë, që shkojnë drejt brigjeve të Adriatikut dhe Jonit. Dje në mëngjes është thyer çdo rekord dhe parashikim për numrin e pushuesve nga Kosova. Sipas Policisë kufitare, fluksi është krijuar që në orën 03:00 të mëngjesit dhe ka vijuar pa ndërprerje, duke bërë që në kufi të shkojë radha 3 kilometra. Llogaritet që numri i pushuesve kosovarë në 24 orët e fundit të jetë rreth 40 mijë me afro 10 mijë automjete, një shifër e paregjistruar ndonjëherë në sezonet e kaluara. Pushuesit udhëtojnë drejt Velipojës e deri në Sarandë për pushime ditore dhe më të gjata dhe vijnë nga e gjithë Kosova. Policët e kufirit thonë se një numër kaq i madh nuk është parë asnjëherë më parë, por kjo nuk i ka gjetur në befasi ata. Me shaka një nga policët e vjetër të kufirit thotë: “Nuk ka mundësi që Kosova të jetë 2.5 milionë banorë. Sa njerëz kalojnë këtu, duhet të jetë 10 herë më e madhe! Gjithë ky qarkullim njerëzish dhe automjetesh tregon një zhvillim dhe integrim të jashtëzakonshëm të vendit. Sikur nga 10 litra naftë të blejnë dhe nga tre shishe ujë, kushedi sa fitim ka Shqipëria”, thotë polici kufitar. “Shkojmë ne Velipojë bashkë me familjen nga Gjakova. Jemi çuar herët dhe ka shumë automjete, por Policitë e Kosovës dhe këtu të Shqipërisë po na ndihmojnë mjaft. Sa shumë automjete ka, po kalojmë shumë shpejt. Nuk ka burokraci e ndalesa të panevojshme. Në dy doganat ka policë të Kosovës e Shqipërisë, kështu që na kanë lehtësuar mjaft. Thuajse nuk u ndaluam fare në kontrolle. Për çdo vit pushimet i bëjmë në Velipojë”, thotë Hakiu nga Gjakova. Nuk janë të paktë dhe autobusët që lëvizin nga agjencitë turistike në Kosovë e Shqipëri.

Menaxherët e autobusëve thonë se ka rritje të kërkesave për të udhëtuar e pushuar në plazhet e Shqipërisë, ndonëse sivjet ka rritje të çmimit të biletave. Për të përballuar këtë fluks në dy pikëkalimet kufitare të Morinit në Shqipëri dhe në Vërmicë të Kosovës, për të mos krijuar radhë dhe pritje të gjata kalimi është thuajse pa asnjë ndalesë. Policitë kufitare vetëm sa shënojnë vizualisht numrin e automjeteve, kalimtarëve dhe targat e makinave dhe rastet e ndalimit janë tepër të rralla. Gjatë sezonit turistik ka lehtësira në kalimet e kufirit. Në doganën e Morinit punohet me pesë sportele dhe në disa raste dhe korsitë e daljeve në Kosovë, në mungesë të automjeteve që hyjnë andej, shfrytëzohen për hyrjet në Shqipëri. Edhe autostrada duket se paradite funksionon vetëm në një kah, në drejtim të Durrësit, ndërkohë që numri i automjeteve që hyjnë në Kosovë është fare simbolik.
Në pikat e hyrjes në autostradë nga Morini deri në Kukës, automjeteve vendase që duan të kapin autostradën u duhet të presin deri në 10 apo 20 minuta për të hyrë në korsi. Llogaritet, sipas Policisë kufitare, që në një minutë në Shqipëri dje paradite të kenë hyrë 13 automjete nga Kosova në një orë, ndërsa numri i tyre shkon deri 700 automjete. Në rrugë patrullojnë patrulla të përbashkëta të Policisë kufitare të Kosovës dhe Shqipërisë dhe, që nga nisja e këtij patrullimi një javë më parë, nuk është shënuar asnjë aksident.
Fluksi në Kakavijë, pala greke natën me 1 sportel
GJIROKASTER – Radhë të gjata janë shfaqur në fundjavë në stacionin kufitar të Kakavijës. Konfuzioni është shfaqur sidomos në territorin grek të Kakavijës, ku radha në orët e para të mëngjesit mbërriti deri në 2 km. Kjo erdhi si pasojë e mungesës së numrit të mjaftueshëm të kontrollorëve helenë në sportelet e tyre. Vetëm një sportel ka funksionuar prej orës 01:00 të së dielës e deri në orën 06:00, çka ishte arsyeja e vetme që emigrantët kanë pritur për orë të tëra në Kakavije, për t’u kthyer në territorin shqiptar. Autoritetet policore shqiptare të Kakavijës kanë pohuar se kapacitetet për të menaxhuar situatën në Kakavijën shqiptare ishin të mjaftueshme, por kjo qëndronte në varësi të intensitetit të punës nga ana e homologëve grekë. Përgjatë gjysmës së ditës së djeshme, përmes Kakavijës kanë hyrë 4500 shtetas shqiptarë me banim të përkohshëm në Greqi, ndërkohë që kanë dalë rreth 2000 persona. Pala shqiptare ka punuar me gjashtë sportele në hyrje të territorit të saj dhe tri në dalje, ndërsa u desh një kontakt mes drejtuesve të Kakavijës greke dhe asaj shqiptare, që situata të normalizohej duke shtuar edhe dy sportelistë të tjerë në dalje të territorit grek. Shtim të fluksit të emigrantëve ka pasur dhe përmes pikave doganore të qarkut të Korçës. Dita e diel ka shënuar rreth 6500 kalime nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë-Thanës, Tushemishtit dhe Goricës. p.n/dh.d
KUKES/ JONUZ HALLAÇI
© Panorama.al











