
Duke komentuar në Parlamentin e Athinës mbi paketën e re të huas dhe programin e shpenzimeve, ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos, tha se Greqia ka nevojë për programin e ri, përfshirë marrëveshjet për bonot me kreditorët privatë, që të mos bëhet si Shqipëria dhe Moldavia. Krahasimi u bë ndërsa ministri po shpjegonte se programi i ri dhe PSI-ja (pakti me privatët për shkurtimin e 53 për qind të borxhit), do të çojnë vendin në një situatë të qëndrueshme fiskale dhe do të lehtësojë borxhin grek me 110 miliardë euro. Ndërkohë, Komisioni Europian ka parashikuar se Greqia gjatë këtij viti do të ketë sërish recesion, ku aktiviteti ekonomik do të pësojë një rënie prej 4.4 për qind, duke e thelluar më tej krizën. Sipas KE-së, në Greqi do të ngadalësohet kërkesa e brendshme për shkak të reformave shkurtese në shtet e privat.











