Venizelos: Marrëveshjet gati të dielën, Xhunker skeptik, shtyn takimin e së hënës

Feb 4, 2012 | 12:06
Zhan Klod Xhunker

Ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos dhe ministri i Punës, Jorgos Kutrumanis, pas takimeve me trojkën vendosën masën radikale për uljen me 25 për qind të të ardhurave të punonjësve dhe pensionistëve. Ndërkohë marrëveshja tjetër për reduktimin në 50 për qind të borxhit ndaj kreditorëve privatë, sipas Venizelos, në thelb është e përfunduar, mbetet vetëm nënshkrimi i saj. Autoritetet greke u shprehën se deri të dielën në mbrëmje, para takimit të ardhshëm të eurozonës, ata do t’i kenë përfunduar të gjitha marrëveshjet. Por kjo deklaratë nuk e ka bindur presidentin e Eurogrupit, Zhan Klod Xhunker, i cili ka vendosur ta shtyjë për më larg takimin e së hënës. “Eurogrupi nuk do të takohet të hënën, por ndoshta më vonë gjatë javës”, tha Xhunker për shkak të skepticizmit për përfundimin deri të hënën të marrëveshjeve që priten nga qeveria greke. Takimi i Eurogrupit do të mbahet pasi të jenë finalizuar zyrtarisht të dyja marrëveshjet në Greqi. Edhe komisioneri europian i Çështjeve Financiare, Olli Rehn, tha se pret që marrëveshja ndërmjet qeverisë greke dhe kreditorëve privatë për reduktimin e borxhit të arrihet deri në fund të kësaj jave. Ndërsa kreu i “Deutsche Bank”, Josef Akerman, pohoi se “qeveria greke dhe kreditorët privatë të vendit janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje”. Në konferencën vjetore për shtyp të “Deutsche Bank”, të mbajtur të enjten, Akerman paralajmëroi për rrezikun e pasojave edhe në vende të tjera të eurozonës.

© Panorama.al

Te lidhura