TIRANË- Reformë totale dhe dhënien e gjithë të drejtave që i takojnë pushtetit vendor, në kuadër të autonomisë vendore ka kërkuar kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ai ka akuzuar qeverinë dhe pushtetin për goditjen e vazhdueshme ndaj këtij pushteti, duke e bërë përmirësimin e jetës ndaj komunitetit një mision të pamundur të pushtetit vendor.
Duke folur në tryezën e PS për Autonominë e Pushtetit Vendor, Rama ka deklaruar se kriza e fundit, dëshmoi paralizimin e shtetit përballë tërbimit të motit.
Sipas tij, shumë kryetarë komunash u gjetën të vetëm e në pamundësi për të ndihmuar banorët e zonave të tyre izoluar nga bora.
“Kjo krizë e fortë e shkaktuar nga tërbimi i motit, por edhe e nënvizuar nga fakti se strukturat e qeverisë që duhet të parashikonin, parandalonin dhe planifikonin përballjen me krizën nënvizoi qartësisht domosdoshmërinë e një ndryshimi që cdo shqiptar e ndjen si të nevojshëm përditë e më shumë. U pa qartë se shteti nuk funksion se strukturat shtetërore të paguara nga taksat e qytetarët për të bërë parashikimet si e do ligji i emergjencave, nuk ekzistojnë, strukturat për të bërë gjithçka që i takon shtetit në jetësimin e masave parandaluese janë kthyer në xhepa falso të shtetit që mbushen vetëm për nevojat e pushtetit me rrogëtarë që vijnë direkt nga partitë e qeverisë dhe po ashtu edhe strukturat që duhet të planifikojnë në terren emergjencat janë kthyer në zyra punësimi për njërezit e partive të qeverisë që janë aty për të marrë rrogën”- tha Rama.
© Panorama.al











