
Ndarja e fondeve sipas tremujorëve, më shumë në fillimviti
Pushteti vendor gjatë këtij viti do të jetë i detyruar që paratë që merr nga buxheti i shtetit t’i shpenzojë sipas disa kushteve që qeveria i bëri të ditura edhe në fund të vitit 2011. Kështu, përparësi do të kenë shpenzimet për gjelbërim dhe pemëtari, ndërkohë që projektet për investime do të kalojë në “sitën” e institucioneve qendrore. Në një udhëzim të dalë pak ditë më parë, Ministria e Financave përcakton edhe mënyrën se si do të tërhiqet transferta e pakushtëzuar për qarqet, komunat apo bashkitë në gjithë vendin, e ndarë kjo sipas tremujorëve. Kështu, sipas udhëzimit të datës 15 shkurt, Financat përcaktojnë se qarqet dhe komunat në tremujorin e parë të vitit do të mund të tërheqin 35 për qind të transfertës së pakushtëzuar në tremujorin e parë të vitit, ndërkohë që për bashkitë për të njëjtën periudhë masa e transfertës së çelur do të jetë 30 për qind. Në tremujorin e dytë, për qarqet do të çelet 30 për qind e transfertës, për komunat, 25 për qind dhe për bashkitë, 20 për qind. Në tremujorin e tretë të vitit, qarqet do të kenë mundësi të marrin 20 për qind të fondit, komunat gjithashtu 20 për qind dhe po kaq edhe bashkitë. Kurse në tremujorin e fundit të vitit, për qarqet mbeten për t’u përdorur 15 për qind e fondeve të transfertave të pakushtëzuara, për komunat 20 për qind, kurse për bashkitë 30 për qind. Udhëzimi nga ana tjetër sanksionon se njësitë e qeverisjes vendore nuk do të mund të shpenzojnë më shumë sesa përcakton ligji si fonde për paga dhe pensione. Vendosja e një limiti, sikurse është lakuar shpesh nga qeveria, bëhet me synimin e kufizimit të dukurisë së administratave të “fryra” nga emërimet partiake.
© Panorama.alTransfertat e pakushtëzuara
Fondet per Qarqet
Tremujorin I 35 për qind
Tremujori II 30 për qind
Tremujori III 20 për qind
Tremujori IV 15 për qindFondet per Komunat
Tremujorin I 35 për qind
Tremujori II 25 për qind
Tremujori III 20 për qind
Tremujori IV 20 për qindFondet per Bashkitë
Tremujorin I 30 për qind
Tremujori II 20 për qind
Tremujori III 20 për qind
Tremujori IV 30 për qind











