Vendimi të hënën, Venizelos: Duan të na nxjerrin jashtë

Feb 16, 2012 | 11:35

Venizelos dhe Papulias

Samaras nënshkruan letrën e angazhimeve për kursimet, eurogrupi i ndarë.

Zhan Klod Xhunker, presidenti i eurogrupit, pas përfundimit të thirrje-konferencës dje, tha se është bërë progres lidhur me Greqinë dhe se vendimet do të merren në samitin e së hënës. Trojka ka finalizuar raportin e saj për borxhin e Greqisë dhe ka marrë garanci të forta nga liderët politikë grekë. Xhunker tha se konsiderata të tjera nevojitet të detajohen dhe ministrat e Financës të eurozonës kanë nevojë për një survejim më të fortë mbi Greqinë. Disa nga vendet e eurozonës kanë propozuar shtyrjen e vendimit për huan e Greqisë për një samit tjetër. Kjo ka detyruar politikanin më në zë tashmë në Greqi, Antonis Samaras, i cili flitet të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit, që të pranojë më në fund të dërgojë një letër në Bankën Qendrore Europiane, me premtimin se nëse do të jetë lideri i ri i vendit, ai do t’i përmbahet deri në fund programit të shkurtimeve. Letra e Samaras ishte kërkuar prej shumë kohësh nga BE-ja, por ai e quante atë një shkelje të dinjitetit dhe deri dje nuk kishte pranuar ta nënshkruante. Vendimi erdhi ndërsa në Bruksel po zhvillohej një thirrje-konferencë me ministrat e Financave të eurogrupit, të cilët nuk i cilësuan të mjaftueshme masat e dhimbshme që ka marrë Greqia. Ata vendosën ta shtyjnë sërish vendimin për huan. Komisionerja e Komisionit Europian, Maria Damanaki, tha se Olli Rehn dhe KE nuk duan që ndihma për Greqinë të vonohet më shumë. KE ka rënë dakord në mënyrë unanime se ajo për të cilën kanë votuar deputetët grekë, është e mjaftueshme dhe e përshtatshme. Ministri grek i Financave i zemëruar ka akuzuar disa vende të eurozonës që duan ta nxjerrin Greqinë jashtë grupit, edhe pse mori masa kaq të dhunshme që shkaktuan kaos në vend. Evangelos Venizelos akuzoi vendet se “po luajnë me zjarrin”, ndërsa Greqia luftonte të finalizonte kërkesat për paktet e kursimit në këmbim të huas. Një zyrtar ka thënë për BBC-në se pjesa e 325 milionë eurove që mungonte në kursimet e Greqisë, është arritur me shkurtime të tjera në programet e mbrojtjes, shëndetësisë dhe buxhetet e qeverisjes lokale.

Papulias solidarizohet me popullin, lë pagën
Në fund të mandatit, duke shprehur solidarizimin me popullin grek, që po përjeton shkurtime të vazhdueshme në paga e pensione. Ministri i Financave, Venizelos, tha se “ky është një akt i rëndësishëm simbolik, që e nderon Presidentin grek, për të cilin e falënderoj atë dhe do të informoj kabinetin”.

Monti: Kërkesat për Greqinë, të tepruara
Kryeministri italian, Mario Monti, tha se kërkesat e eurozonës për Greqinë janë të tepruara dhe përjashtoi masa ekstra në buxhetin e vendit të tij. Ai shtoi se Gjermania dhe Franca duhet të ndajnë fajin për krizën, sepse kanë qenë në origjinat e pakteve për stabilitetin. Monti tha se nuk ka shtete të mira dhe të këqija në BE dhe se euro-bonot do të ndihmonin integrimin e tregjeve financiare.

Jashtë eurozonës
Kreu i grupit të konservatorëve në PE, Kallanan, tha se liderët e BE-së duhet të planifikojnë “tërheqjen e qetë” të Greqisë nga eurozona. Ai tha dje në PE se në samitin e ardhshëm të BE-së, të planifikuar për më 1 mars, nuk duhen kërkuar më kura për Greqinë, por ajo duhet nxirret jashtë eurozonës.

© Panorama.al

Te lidhura