Zbardhen detajet nga vendimi i pritshëm i Qeverisë. Ish-ushtarakët do të përfitojnë shtesë të barabartë me pensionet e qytetit.
Qeveria, rritje më të madhe për pensionistët e fshatit.
Nga 1 korriku rritje për minatorët e pensionet e parakohshme.
Nga rritja e pensioneve prej 1 korrikut, do të përfitojnë edhe kategoria e ish-ushtarakëve. Vendimi për rritjen e pensioneve pritet të miratohet në ditët në vijim nga qeveria.
Ashtu sikurse është deklaruar, rritje do të ketë për pensionet në fshat dhe në qytet në masën 5 për qind për të parën dhe 4 për qind për të dytin. Rritja më e madhe për fshatin është argumentuar më herët nga institucionet si përpjekje për të barazuar përfitimin e pensionit të fshatit me atë të qytetit.
Ushtarakët dhe minatorët
Ushtarakët, pilotët fluturues, ish-punonjësit e Policisë, detarët apo punonjësit e ndërmarrjeve ushtarake që tashmë kanë dalë në pension, do të përfitojnë rritje prej 4 për qind të përfitimit. Qeveria ka vendosur që këto kategori t’i trajtojë njëlloj duke rritur masën e pensionit në të njëjtin nivel sa do të rriten edhe pensionet e qytetit. Po 4 për qind pritet që të rriten edhe pensionet e minatorëve. Përfitues të kësaj rritjeje duket se nuk do të jenë vetëm ata që kanë një pension suplementar pleqërie, por edhe ata që kanë përfituar pension të parakohshëm. Në total pritet që nga kjo rritje për ish-ushtarakët të përfitojnë mbi 21 mijë qytetarë, nga të cilët 8832 përfitojnë pension të parakohshëm dhe pjesa tjetër pension të plotë. Për ndarjen e pensioneve institucioni përgjegjës është Instituti i Sigurimeve Shoqërore, i cili aktualisht po punon edhe për zbatimin e ligjit nga i cili përfitojnë ushtarakët. Pothuajse çdo javë ky institucion bën publike listën me emrat e ushtarakëve që përfitojnë pension dhe që normalisht në vijim do të përfitojnë edhe rritjen që pritet të përcaktohet me vendim nga qeveria. Kategoria e ushtarakëve dhe gjithë kategoritë e tjera të veçanta kanë përfituar edhe një vit më parë të njëjtën rritje, kurse për fshatin rritja ishte me 7 për qind.
Paratë në buxhet
Rritja e pensioneve me 5 për qind për fshatin dhe 4 për qind për qytetin është parashikuar të përballohej nga buxheti me një fond prej 15 milionë dollarësh. Në total, sikurse është deklaruar me shifra zyrtare në mbledhjen e qeverisë nga kreu Sali Berisha, prej kësaj rritjeje pritet të përfitojnë plot 565 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Paralelisht me rritjen e pensioneve qeveria pritet të rrisë edhe pagat e administratës dhe në zërin “politika të reja pagash” të buxhetit janë parashikuar 10 milionë dollarë për të përballuar zbatimin e vendimit të ri.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











