Vendimi, Qeveria rrit pagesën për pension. Tabela

Jul 28, 2011 | 10:02

Të gjithë ata që janë në punë, do të paguajnë më shumë për të marrë përfitime
nga skema e sigurimeve. Qeveria ndryshoi dje pagën minimale dhe maksimale mbi të cilën mbahen, me detyrim, kontributet për pension.
Këtë vendim gazeta po e zbardh për të gjithë kategoritë. Sa para më shumë do
paguajnë fermerët, të vetëpunësuarit dhe ambulantët. Shtesa edhe për dadot
apo punëtoret e shtëpive. Efektet nga 1 korriku 2011.
PAGA MINIMALE DHE MAKSIMALE
Nga 1 korriku 2011, paga minimale mbi të cilën mbahen kontributet shtohet
me 720 lekë në muaj. Si rrjedhojë, edhe pagesat për pension të të gjithë atyre që paguhen me pagë minimale shtohen me 201 lekë në muaj. Kështu, paga minimale mbi të cilën paguheshin kontributet për pensione dhe përfitime
sociale ishte 16820 lekë dhe me vendimin e ri bëhet 17540 lekë në muaj. Këto janë ndryshimet që prekin kryesisht të punësuarit e industrisë
me fason apo të punësuarit e tjerë që paguhen me pagë minimale. Nga 1 korriku, rritet po ashtu edhe paga maksimale mbi të cilën mbahen kontributet për pensione. Kështu, pagesat e larta mbi 84100 lekë në muaj, do të paguajnë më shumë për pension. Paga maksimale, nga 81400 lekë në muaj, bëhet 87700 lekë në muaj. Pra, shtohet me 3600 lekë në muaj.
Si rrjedhojë edhe kontributi, prej 11.2 për qind të pagës, shtohet me rreth 403 lekë në muaj. Pra, pagat ulen me po kaq para.
AMBULANTËT DHE PUNËTORET E SHTËPISË
Shtesa e kontributeve për pension ka prekur gjithashtu të vetëpunësuarit dhe ambulantët. Këto dy kategori, pra ato që kanë një dyqan ku punojnë vetë dhe me familjen, apo ato që tregtojnë në rrugë do të paguajnë më
shumë, me detyrimin që të sigurojnë pension dhe shërbime shëndetësore. Kush ka një dyqan, ku punon edhe vetë, do të paguajë 216 lekë
më shumë në muaj për t’u siguruar. Rritje të pagesës me 360 lekë në muaj kanë edhe  ambulantët. Këta të fundit do të paguajnë 1800 lekë, nga
1440 lekë në muaj që paguanin deri më 1 korrik 2011.
FERMERËT
Duket paradoksale, por në të njëjtën mbledhje qeverie ku po trumbetohej rritja e eksporteve të bujqësisë, u rritën edhe pagesat e fermerëve për
pension. Në kohën kur kryeministri Berisha po lavdëronte ministrin e Bujqësisë për shtesën, sipas tij, me 30 për qind të eksporteve, ministri i Financave po bënte gati të merrte format e qeverisë për shtesën me jo pak, por 25% të kontributeve të fermerëve për pension. Duket që qeveria, me një dorë ia jep (subvencionet) dhe me dorën tjetër ia merr (kontribute) të
ardhurat fermerëve. Qeveria vendosi dje të shtojë me 4320 lekë në vit sasinë e kontributeve vjetore që derdhin fermerët për pension. Kjo është rritja
më e madhe (rreth 25%) që bëhet në kontributet e fermerëve. Vetëm tri javë më parë, qeveria vendosi të shtojë me vetëm 7 për qind pensionet
në fshat. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me fermerët e kategorisë
së dytë, në fshatrat ku toka ka një prodhimtari shumë më të ulët. Edhe pse jo të prekur nga rritja e mirëqenies, si pasojë e rritjes së eksporteve këta
fermerë do të paguajnë 2808 lekë më shumë në vit që të marrin pension.
PAGESA E NËNAVE SHTATZËNA
Vendimi i djeshëm i qeverisë ka zgjidhur edhe një problem të vjetër për pagesën e sigurimeve për nënat shtatzëna. Sipas ligjit, pagesa bëhej
vetëm për ato femra që ishin në punë gjatë 12 muajve para se të merrnin lejen e shtatzënisë. Shpesh, femrat nuk e plotësonin të gjitha këtë kusht. Pra, nuk kishin qenë  në punë për të 12 muajt, por vetëm për një pjesë të tyre. Në
këto raste, ato nuk përfitonin pagesë nga leja e shtatzënisë. Vendimi i djeshëm i qeverisë duket se zgjidh këtë ngërç. “Baza e vlerësuar mujore për
efekt të llogaritjes së të ardhurave për barrë-lindje, për rastet kur e drejta e përfitimit ka lindur, por përfituesja nuk ka pagë gjatë gjithë muajve të vitit të fundit kalendarik, llogaritet duke bashkuar shumën e pagave faktike
për muajt që është derdhur kontribut për sigurimet shoqërore, me shumën e pagave minimale të përcaktuara për efekt të derdhjes së kontributit
të sigurimit shoqëror për muajt pa kontribut, pjesëtuar me 12 muaj”. Pra, plotësohen muajt pa kontribut, duke i shtuar atyre pagën minimale
të asaj kohe.

Invalidët: Të na indeksohen pagesat sipas inflacionit

Nuk u indeksuan pagesat në bazë të inflacionit të deklaruar nga Banka e Shqipërisë që prej datës 1 korrik. Shqetësimin e ngrenë personat me aftësi të kufizuar.  Ata thonë se ky problem është bërë i ditur nëpërmjet një shkrese zyrtare dërguar ministrit të Punës, Spiro Ksera, por deri tani nuk ka një përgjigje. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar,
Sinan Tafaj, u shpreh dje gjatë një konference për shtyp se paga e tyre duhet të indeksohet ashtu si e parashikojnë dhe vendimet e qeverisë. “Ministria e Punës të indeksojë pagesën e personit me aftësi të kufizuar në masën e inflacionit të deklaruar nga Banka e Shqipërisë. Kur nuk bëhet indeksimi i inflacionit, personat marrin një pagesë reale më të ulët se ç’e kishin. Të zbatohen vendimet e qeverisë ashtu siç janë”, tha Tafaj. Pagesa për personat
me aftësi të kufizuar është rreth 9 mijë lekë, por kjo vlerë ndryshon sipas kategorive. Në vendin tonë zyrtarisht numërohen rreth 120 mijë persona me aftësi të kufizuar, nga të cilët 30 mijë janë të verbër, para dhe tetraplegjikë.

NDRYSHIMET NGA VENDIMI

Paga minimale, për efekt të llogaritjes së kontributeve
Ishte 16 820 lekë/muaj
Bëhet 17 540 lekë/muaj
Paga maksimale, për efekt të llogaritjes së kontributeve
Ishte 84 100 lekë/muaj
Bëhet 87 700 lekë/muaj
Shuma minimale e kontributeve
Ishte 4 693 lekë/muaj
Bëhet 4 894 lekë/muaj
Kontributet për të vetëpunësuarit
Ishte 7% e pagës ose 1 177 lekë/muaj
Bëhet 7% e pagës ose 1 228 lekë/muaj
Kontributet për të vetëpunësuarin, të vetëpunësuarin në ortakëri, të vetëpunësuarin, që punëson të tretë
Ishte 30% e pagës minimale prej
16 820 lekë ose 5 046 lekë/muaj
Bëhet 30% e pagës minimale prej
17 540 lekë ose 5 262 lekë/muaj
Kontributet për të vetëpunësuarit në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulantët
Ishte 1 440 lekë/muaj
Bëhet 1 800 lekë/muaj
Kontributet për personat mbi 16 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia
Ishte 7% e pagës minimale prej 16 820 lekë
Bëhet 7% e pagës minimale prej 17 540 lekë
Kontributet për të vetëpunësuarit në bujqësi
Ishte 17 280 lekë/vit
Bëhet 21 600 lekë/vit
Kontributet për të vetpunësuarit në bujqësi në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë
Ishte 11 232 lekë/vit
Bëhet 14 040 lekë/vit
Kontributet për personat, që punojnë si punëtorë shtëpie
Ishte 1 440 lekë/muaj
Bëhet 1 800 lekë/muaj
Pensioni bazë minimal
Ishte 10 690 lekë/muaj
Bëhet 11 117 lekë/muaj
Pensioni i pjesshëm
Ishte 6 980 lekë/muaj
Bëhet 7 468 lekë/muaj

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura