Vendimi në Vjenë, Kosova fiton pavarësinë e plotë

Jul 3, 2012 | 14:21

Grupi Drejtues Ndërkombëtar mori dje vendimin historik në Vjenë për t’i dhënë Kosovës pavarësi të plotë, pa mbikëqyrjen e asnjë institucioni. Procesi do të mbyllet në muajin shtator, kur qeveria e Kosovës të ketë përfunduar disa obligime, si përfshirjen e disa ligjeve në këtë proces. Sipas kreut të Zyrës Ndërkombëtare Civile në Kosovë, Piter Feith, veriu i Mitrovicës nuk do të ndahet dhe nuk do të jetë një konflikt i ngrirë, por do të integrohet. Grupi Drejtues Ndërkombëtar përbëhet nga SHBA, vendete BE-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe Turqia. Në takim ishte i pranishëm edhe Kryeministri Hashim Thaçi. Ai ka premtuar se Kosova do t’i kryejë të gjithë obligimet e saj deri në muajin shtator. Në fjalimin e tij, Thaçi tha se “2 korriku është një datë simbolike dhe historike për Kosovën. Kjo ditë dëshmon se sa rrugë të gjatë kemi bërë, sa shumë sakrifica dhe dhimbje kishin qytetarët e Kosovës. Qytetarët tanë çdo herë kanë pasur besim të fuqishëm, shpresë dhe optimizëm për Kosovën e pavarur dhe sot pas 22 vitesh ne jemi shtet sovran dhe demokratik. Sot Kosova po hap një kapitull të ri të shtetësisë së saj”, tha ai mes të tjerash në konferencë. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se  atributi kryesor u takon qytetarëve të Kosovës. “Besimi në ju, qytetarë të Kosovës dhe në Republikën tonë është fryt i punës dhe i angazhimit të përbashkët, që vlerat demokratike i bëmë parime themelore të shtetësisë sonë, duke dëshmuar aftësi dhe përgjegjësi për shtetin tonë dhe obligimet tona ndërkombëtare”, tha mes të tjerash ajo. Ndërsa kryetrari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, tha se “kjo arritje historike është kontribut i angazhimit të përhershëm të institucioneve të Kosovës në bashkëveprim me institucionet ndërkombëtare, për ndërtimin e shtetit të ligjit të së drejtës, të shtetit të qytetarëve të barabartë, pa dallim race e gjinie, sipas standardeve europiane”. Ai shtoi se Kosova do të këmbëngulë “që të bëjë edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese për t’ i marrë përsipër përgjegjësitë, të cilat që nga shpallja e pavarësisë e këndej i ka ushtruar Zyra Civile Ndërkombëtare”.

Berisha
Kryeministri Berisha e quajti historik vendimin e komunitetit ndërkombëtar për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Ai u shpreh se vendimi në fjalë përbën një akt tjetër madhor besimi të paprecedent për shtetin e Kosovës, për Kosovën e pavarur, për standardet që ky vend ka realizuar në një kohë të shkurtër. “Sot është një ditë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët… Dua të përcjell përshëndetjet me të përzemërta për të gjithë qytetarët e Kosovës, institucionet, qeverinë, që me përkushtimin e tyre merituan një besim të madh”.

Ivanoviç
Sekretari shtetëror i Ministrisë për Kosovën në qeverinë në largim të Serbisë, Oliver Ivanoviç, tha se vendimi i GDN-së është lajm i keq për serbët në Kosovë. “Lëshimi i Kosovës nga cilido mision ndërkombëtar nënkupton vetëm rritjen e rrezikut për serbët dhe Serbinë”, tha ai për televizionin B92. Ivanoviç shtoi se përderisa komuniteti serb e kishte refuzuar fillimisht GDN-në me 25 anëtarë, ishte pranuar më vonë kontakti me “secilin mision tjetër ndërkombëtar”, meqë serbët dhe shqiptarët, sipas tij “nuk janë në gjendje të funksionojnë pa mbikëqyrje”.

© Panorama.al

Te lidhura