Vendimi, kush fiton gjyqin, merr paratë nga Thesari

Aug 19, 2011 | 9:25

Të gjithë ata që për një arsye apo një tjetër kanë hedhur në gjyq një institucion dhe vendimi gjyqësor ka qenë në favor të tyre, do të mund të marrin paratë e dëmshpërblimit nga Thesari.Qeveria ka vendosur që t’u japë autoritetin  e nevojshëm përmbaruesve gjyqësorë që të mund të kenë akses në llogarinë e institucioneve përkatëse “borxhlie” për rastet kur këto të fundit nuk shlyejnë detyrimet në mënyrë vullnetare. Në një udhëzim të miratuar dje në qeveri përcaktohet edhe procedura se si do të veprohet nga përmbaruesi dhe se cilat janë rastet kur ndërhyhet.
Udhëzimi
Udhëzimi i miratuar dje në qeveri duket se ka si synim disiplinimin e institucioneve për të parashikuar shpenzime për vendimet gjyqësore. Paralelisht me këtë, qeveria kërkon që t’u japë fund zvarritjeve që bëhen nga institucionet për të shlyer detyrimet që rrjedhin nga vendimet gjyqësore. Tashmë duan apo nuk duan njësitë e qeverisjes qendrore, paratë do të merren me apo pa dëshirën e tyre nga Thesari. Por, si do të jetë procedura e ekzekutimit të vendimit gjyqësor nga përmbaruesi? Fillimisht përmes një paralajmërimi njësia e qeverisjes qendrore vihet në dijeni për “borxhin” që ka për të shlyer si rrjedhojë e vendimit të gjykatës. Nëse kjo e fundit nuk reagon, atëherë përmbaruesi vendos masën e sekuestros dhe paraqet pranë institucionit kërkesën për ekzekutimin e detyrimit. “Titullari i njësisë shpenzuese brenda pesë ditëve i kërkon Degës së Thesarit pagesën e shumës së detyrimit nga llogaria e parashikuar në këtë udhëzim. Dega e Thesarit, brenda dhjetë ditëve nga marrja e kërkesës nga titullari i njësisë shpenzuese, bën pagesën e detyrimit”, thuhet në vendim.
Sanksionet
Në rastin më të keq kur titullari i njësisë shpenzuese nuk zbaton afatet, Dega e Thesarit vendos masën e sekuestros në shpenzimet operative, të njësisë shpenzuese, në masën e vendimit gjyqësor të formës së prerë. Gjithsesi, Dega e Thesarit nuk lejohet të prekë shpenzimet e detyrueshme për funksionimin e institucionit, siç janë energjia, uji apo materiale e shërbime speciale. Udhëzimi përcakton gjithashtu edhe rastet se kur mund të hiqet masa e sekuestros për njësinë e qeverisjes. Drejtuesit të Degës së Thesarit i lind detyrimi i heqjes së kësaj sekuestroje në momentin kur nga ana e institucionit paraqitet një plan pagese për shumën e përcaktuar nga vendimi gjyqësor, por sigurisht plani duhet të shoqërohet edhe me një shlyerje pjesore të gjithë detyrimit. Edhe për rastet kur njësia debitore nuk ka fonde të mjaftueshme në zërin e shpenzimeve operative të vitit buxhetor aktual apo kur ka vendim gjykate, për shtyrjen e afatit të ekzekutimit të detyrimit ose ndarjen e detyrimit në këste hiqet sekuestroja.

Njësitë

Njësive të qeverisjes qendrore nga udhëzimi i miratuar dje në qeveri u lind detyrimi i parashikimit të saktë të shpenzimeve për vendimet gjyqësore të prapambetura. Ndërkohë që për ato që gjatë kohës kërkohet nga përmbaruesi ekzekutimi i një vendimi gjyqësor dhe nuk kanë mjaftueshëm fonde për të shlyer këtë detyrim, duhet që t’i drejtohet gjykatës me kërkesën për shlyerje pjesore.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura