Vendimi, Kule shkeli ligjin për arsimin

Jul 5, 2012 | 14:03
Komisionin e Medias dhe Edukimit

Largimi i 28 pedagogëve nga Departamenti i Gjuhës Angleze përbën shkelje të ligjit për arsimin e lartë. Dje, në Komisionin e Medias dhe Edukimit, vendimi i propozuar nga rektori Dhori Kule është shoqëruar me akuza të forta nga deputetët e opozitës.
Komisioni ka marrë në shqyrtim ankesën e dekanes së Fakultetit, Klodeta Dibra. “Kemi të bëjmë me një shkelje të ligjit për arsimin e lartë. Në nenin 36 thuhet fare qartë, kompetencat e Këshillit të Fakultetit dhe në rastin konkret ne kemi një shpërfillje të Këshillit të Fakultetit dhe vetë Fakultetit. Fakulteti nuk është pyetur dhe nuk është normale që një fakultet, që preket në mënyrë esenciale nga kjo e ashtuquajtur reformë, të mos jetë përfillur. Kemi një shkelje ligjore për sa kohë që nuk është përfillur Fakulteti dhe kemi shkelje të autonomisë”, tha kryetarja e Komisionit, Valentina Leskaj. Sipas deputetit Alfred Dalipi, rektori Kule këtë vendim po e përdor në mënyrë të tërthortë, ndoshta edhe për të rrëzuar sistemin e Maturës Shtetërore, duke u nisur edhe nga deklaratat e fundit të tij.
Deputetët e opozitës kanë kërkuar të martën që vjen interpelancë me ministrin e Arsimit, Myqerem Tafaj, për të dhënë sqarime mbi këtë vendim. Burime pranë këtij dikasteri konfirmuan për gazetën se Drejtoria Juridike e ka marrë në shqyrtim dhe ka evidentuar devijim nga drafti i prezantuar në mbledhje. “Në vendimin përfundimtar kemi pasur të bëjmë me një shtesë prej 7 pedagogësh, ndërkohë që në mbledhje u diskutua parimisht për ngritjen e strukturave bërthamë pranë fakulteteve, pa kërkuar pedagogë të rinj, pasi kjo ka kosto financiare dhe Këshilli i Administrimit përgjigjet pikërisht për këtë pjesë”, thanë burimet pranë MASH. Ky dikaster pritet të dalë në një reagim zyrtar në lidhje me situatën e krijuar. Dje, dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra, pohoi për gazetën se është vënë në dijeni Ambasada Angleze me të cilën Fakulteti ka një bashkëpunim disavjeçar. “Vetë ambasadori ka treguar sensibilitet për këtë çështje dhe do të ketë një reagim edhe prej tyre në lidhje me vendimin”, tha Dibra.

Debati ne komision
Valentina Leskaj:
Esenca këtu është që Fakulteti i prekur nga vendimi nuk është konsultuar. Në nenin 36 thuhet fare qartë, kompetencat e Këshillit të Fakultetit, dhe në rastin konkret ne kemi një shpërfillje të Këshillit të Fakultetit dhe vetë Fakultetit. Fakulteti nuk është pyetur dhe nuk është normale që një fakultet që preket në mënyrë esenciale nga kjo e ashtuquajtur reformë, të mos jetë përfillur.
Mark Marku: Të bëjmë një analizë pas marrjes së informacionit. Nuk ka kuptim të gjykojmë të tjerët ose të bëjmë palën mes universitetit, Ministrisë dhe palës tjetër, se nuk është funksioni ynë”.
Ledi Shamku: Fakulteti i Gjuhëve të Huaja duhet të punësonte edhe më tepër pedagogë, personel të brendshëm, për t’ia ndalë mbanë këtij objektivi. Provimi i detyruar i gjuhës së huaj, pjesë e maturës, është në 2014-n, ndërkohë që shohim shkurtim kuotash nga ministri dhe shkurtim personeli. Më duket si një lloj dakordësie mes rektorit dhe ministrit.

Vendimi
Rreth 28 pedagogë, sipas vendimit të marrë në mënyrë abuzive nga Këshilli i Administrimit të Universitetit të Tiranës, do të shpërndahen në 7 fakultetet e tjera të UT. Ky vendim, sipas drejtuesve të Fakultetit, do ta paralizonte plotësisht këtë departament, duke e vënë përballë mungesave të theksuara në staf, çka mund të shfaqë probleme në mbarëvajtjen e procesit mësimor gjatë vitit të ri akademik 2012-2013.

KLSH: Kule abuzoi dhe me dietat e udhëtimeve

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule

Abuzim me dietat. Është ky skandali i radhës, që raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon në faqet e tij për Universitetin e Tiranës dhe saktësisht për rektorin Dhori Kule. Për pesë ditë shërbim jashtë mësohet se kreu i Rektoratit ka përfituar shpenzime udhëtimi dhe dieta në masën 835 euro, të cilat në një analizë më të gjerë nga KLSH-ja kanë rezultuar me abuzim në një pjesë të ndarjes së zërave. Sipas KLSH-së, në shpenzimet e udhëtimit, veç dietave të plota rektori i Universitet të Tiranës, Kule, ka përfituar edhe dieta të tjera më të vogla, të cilat konsiderohen si abuzim. Lidhur me këtë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë edhe rekomandimet e duhura për atë që e vlerëson si dëm ekonomik dhe që është kërkuar të kthehet nga ana e rektorit Kule. Të tjera abuzime që nxjerr në pah raporti i KLSH-së lidhur me Rektoratin e Universitetit të Tiranës, lidhen me pagesat që janë kryer për orët e paguara jashtë orarit, për të cilat janë përfituar disa miliona lekë. Kjo, sipas KLSH, bie në kundërshtim me vendimin e miratuar, që orët shtesë “shpërblehen” me pushime dhe jo me të ardhura. Për këto raste nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit është kërkuar shpërblimi i dëmit ekonomik të konstatuar.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura