Vendimi, kampionati nis më 10 shtator

Aug 17, 2011 | 12:36

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka vendosur datën 10 shtator si fillimin e Kampionatit të Kategorisë Superiore dhe asaj të Parë.Pas problemeve të pjesës dërrmuese të klubeve për kalimin në shoqëri aksionere, KE-ja u dha një tjetër shans atyre që kërkojnë të plotësojnë këtë dokumentacion ligjor, në bazë të kërkesave të FIFA-s dhe UEFA-s. Kështu, është lënë si afat i fundit 31 gushti dhe më pas Komisioni i Licencimeve do të vendosë se cili klub do të regjistrohet dhe cili jo. Ndërkohë, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me klubet që kanë probleme me licencimin e stadiumeve. Shorti për kalendarin e Kategorisë Superiore dhe asaj të Parë pritet të hidhet nga sektori i garave më 1 ose 2 shtator.
“Kërcënimi”
Në një konferencë për shtyp, pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv (presidenti Armand Duka mungonte), sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, dha detaje për vendimet që janë marrë. Ndërkohë, ai “kërcënoi” klubet se nuk do të ketë më tolerime. “FSHF-ja u kërkon të gjitha klubeve që duan të jenë pjesë e garave të sezonit të ri, 2011-2012, ta marrin me seriozitetin maksimal këtë proces, duke i respektuar afatet. Nuk do të ketë asnjë lëshim dhe vendimi i fundit i Komisionit të Licencimit tregon se FSHF-ja është e vendosur të mos bëjë asnjë lëshim, për sa u përket këtyre problemeve ligjore dhe sportive që kanë klubet e Superiores dhe asaj të së Parës. Kjo është në përputhje me rregulloren e FSHF-së dhe të asaj që kërkon FIFA dhe UEFA. FSHF-së i intereson të marrin pjesë në sezonin e ri klube të organizuara dhe me një formë ligjore dhe jo klube të çorganizuara dhe që nuk janë institucionalizuar”, – ka thënë Prodani.

Klubet e palicencuara

1. Tirana
2. Vllaznia
3. Flamurtari
4. Shkumbini
5. Teuta
6. Bylisi
7. Kastrioti
8. Kamza
9. Tomori

© Panorama.al

Te lidhura