Qeveria tërhiqet nga pagat e referencës, ja vendimi i plotë

May 14, 2012 | 12:07

Pas 5 vitesh anulohet vendimi që përcaktonte pagat për të punësuarit në sektorin privat, nuk kishte më efekt.

Zbardhet vendimi: Kërkesë e Bankës Botërore. Vetëm 0.5% e bizneseve kishin probleme me deklarimin.

Anulohet vendimi i vitit 2007. Relacioni: Nuk kishte më efekt.

Pas pesë vitesh aplikimi, qeveria është tërhequr nga vendosja e pagave të referencës për të punësuarit në sektorin privat. Gazeta zbardh vendimin, i cili pritet të kalojë në mbledhje të qeverisë. Akti i qeverisë shfuqizon vendimin e majit të vitit 2007, i cili përcaktonte pagën mbi të cilën do të paguheshin kontributet e sigurimeve shoqërore dhe tatimi mbi të ardhurat. Që nga viti 2007, të gjithë të punësuarit në biznese private e kishin të përcaktuar ligjërisht dyshemenë e pagës. Kjo pagë duhet të kalonte në bankë dhe mbi të të aplikohej tatimi mbi të ardhurat, 10% dhe pagesat e sigurimeve shoqërore, 11.7%, që i mbaheshin të punësuarit dhe pjesa tjetër i mbahet punëdhënësit. Vendimi u prit me debate në atë kohë nga biznesi, pasi shtonte kostot për çdo të punësuar. Duhet theksuar se deri në vitin 2007, shumica e bizneseve, pavarësisht pagesës që i jepnin në dorë të punësuarve, në borderonë “shtetërore” shënonin pagën minimale të lejuar. Me vendimin e ri do të shfuqizohet kjo praktikë, dhe deklarimi i pagave do të jetë vullnetar.
Arsyeja tatimore
Në argumentat tij për ministrat dhe qeverinë, theksohet se vendimi i vitit 2007 e ka humbur efektin e vet. “Ky Vendim ka mbetur i pandryshuar që nga viti 2007 kur ka hyrë në fuqi dhe kështu e ka humbur kuptimin e zbatimit, pasi nuk janë reflektuar ndryshimet e ndodhura ndër vite në nivelin e pagës minimale, bazë kjo për punët e pakualifikuara, si dhe për të reflektuar këto ndryshime në pagat e grupeve të tjera të punonjësve të ndara në vendim sipas funksioneve dhe kualifikimit”. Më thjesht, sipas ministrit, pagat e referencës nuk kanë ndryshuar me kalimin e viteve, edhe pse nga viti 2007 paga minimale është rritur nga 16 mijë lekë në muaj në 20 mijë lekë në muaj. Nga ana tjetër, nuk ka pasur indeksim të pagave të referencës, duke e bërë vendimin thjeshtë një planifikues për mbledhjen e të ardhurave dhe jo zbatues real të zhvillimeve ekonomike në sektorin e biznesit.
Një tjetër arsye duket se ka të bëjë me bindjen e biznesit për të plotësuar borderotë me pagat sa ato të referencës. Sipas relacionit, nga kontrollet e ushtruara te bizneset, rezulton se vetëm 0.5% e të ardhurave nga kontributet janë me rivlerësim page (zbulime nga kontrolli 2011). Pra, vetëm në 0.5% të rasteve, tatimorët kanë zbuluar se pagat e biznesit janë më të ulëta se ato reale. Kjo shifër përbën vetëm 0.14% të fondit të pagave total që biznesi paguan për të punësuarit. Statistika bëhet me më pak vlerë, sepse sipas vlerësimit vetëm 0.6% e bizneseve kanë pasur probleme, pra kanë deklaruar paga më të ulëta sesa realja. “Nga testimet e muajve mars dhe qershor 2011 rezulton se shtesat nga rivlerësimi i fondit të pagave rezulton 0.09-0.13%. Pra, duket se, pas pesë vitesh, vendimi i pagave të referencës po zbatohet.
Kërkesa e Bankës Botërore
Në rast se arsyeja e parë kishte të bënte me procesin e mbledhjes së të ardhurave, arsyeja e dytë është më e fortë dhe më bindëse. Raportet e “Doing Business”, të cilat mbajnë firmën e Bankës Botërore, kanë vlerësuar se pagat e referencës janë faktor për përkeqësimin e klimës së biznesit. Sipas relacionit të vendimit, për indikatorin ”Paying Taxes” për raportin për Shqipërinë, Banka Botërore në llogaritjen e normës së kontributeve kalkulon se rëndesa e taksave për një biznes është 22.5% e jo 16.7% që është në Shqipëri në bazë të ligjit për kontributet shoqërore. “Banka Botërore konkludon me një normë shumë të lartë tatimi real për kontributet prej 22.5%, si rezultat i aplikimit të çmimeve të referencës në Shqipëri. Shfuqizimi i këtij vendimi do të sillte edhe një vlerësim më realist nga BB për indikatorin e ”Paying Taxes” për Shqipërinë”, thuhet në relacion.

Të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale
Viti 2006        8.580 milionë lekë
Viti 2007        14.847 milionë lekë
Viti 2008        24.498 milionë lekë
Viti 2009        26.820 milionë lekë
Viti 2010        27.058 milionë lekë
Viti 2011        27.967 milionë lekë

Mbrojtja nga evazioni, publikimi on-line i pagesave nga ISSH
Frika më e madhe e heqjes së pagave të referencës është rikthimi i borderove me paga minimale për të punësuarit. Një fenomen i rëndomtë ky, i para viteve 2007. Por duket se qeveria ka gjetur një mënyrë tjetër për të mbrojtur këtë lloj abuzimi. Në relacionin e vendimit thuhet se do të jetë reforma në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, ajo që do të mbrojë heqjen e pagave të referencës. “Efektet nga shfuqizimi i këtij vendimi, përveç të tjerash, deri në një farë mase do të kompensoheshin nëpërmjet rritjes së transparencës ndaj të punësuarve, duke bërë të mundur që nëpërmjet kodit personal të shohin on-line pagën mujore mbi të cilën i është llogaritur dhe paguar kontributi nga punëdhënësi”. Ky proces është në vijim në Institutin e Sigurimeve Shoqërore. ISSH po bën gati sistemin e deklarimit të listë-pagesës nëpërmjet formës elektronike. Çdo i punësuar, me përfundimin e kësaj reforme, mund të verifikojë vetë se sa para i derdhen nga punëdhënësi për sigurime dhe rrjedhimisht, edhe pagën që i deklarohet në Tatime. Kjo reformë pritet të qartësojë edhe një fenomen tjetër. Atë të mosdeklarimit të punonjësve në ISSH dhe mospagesat për vitet e kontributeve. Publikimi i listave on-line, të atyre që sigurohen për pensione dhe verifikimi nga vetë të punësuarit, do të jetë një presion shtesë për biznesin që të deklarojë pagesën e plotë. Rrjedhimisht, edhe pagesat e kontributeve dhe tatimit mbi të ardhurat personale do të jenë të sakta. Se sa do të jetë efektive kjo masë, pritet të shikohet pas zbatimit të ligjit. Një gjë është e sigurt dhe e provuar, në vitin 2006, kur pagat deklaroheshin pa referenca, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale ishin 8.580 milionë lekë, në vitin 2007 14.847 milionë lekë. Në vitin 2008, kur filloi aplikimi i pagave të referencës, gjatë 12 muajve të ardhurat arritën në 24.498 milionë lekë. Qartësisht në të larta.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura