Pas ndarjes nga jeta të deputetit të qarkut të Shkodrës, Gëzim Dibra, Parlamenti ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për krijimin e një vendi vakant. Në mbledhjen e datës 20 gusht, ku kanë marrë pjesë katër anëtarët e propozuar nga shumica dhe nënkryetarja Dëshira Subashi, KQZ-ja ka vendosur që t’i japë mandatin kandidatit që ishte i teti në listën e PD-së në këtë qark. “Me njoftimin e vakancës nga ana e Kuvendit, në respektim të përcaktimeve të nenit 164 të Kodit Zgjedhor, mandati i kalon kandidatit vijues të listës shumemërore të Partisë Demokratike për qarkun Shkodër, miratuar me vendim të KQZ-së. Referuar listës shumemërore të Partisë Demokratike për qarkun Shkodër, kandidati i cili renditet me numër rendor 8, është zoti Ramiz Myftar Çobaj”, thuhet në njoftimin e KQZ-së, i cili tashmë është botuar edhe në Fletoren Zyrtare. Pas marrjes së këtij vendimi, Ramiz Çobaj do të rikthehet në Parlament, në vendin që e mbajti katër vitet e kaluara. Gjatë kësaj periudhe dyvjeçare ai u zgjodh nga Parlamenti si anëtar dhe më pas si kryetar i Komisionit të Shërbimit Civil, por pak kohë më parë dha dorëheqjen nga posti i drejtuesit të këtij institucioni. Më 12 gusht u nda nga jeta deputeti 55-vjeçar i Partisë Demokratike, Gëzim Dibra. Ai ka ndërruar jetë në një nga spitalet e shtetit fqinj, Italisë, ku ishte shtruar për t’u kuruar, pasi siç mësohet, ai prej muajsh vuante nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme. Dibra është zgjedhur si deputet i Legjislativit shqiptar që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 për qarkun e Shkodrës. Gjithashtu, deputeti i së djathtës ka qenë edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Ai vinte nga radhët e shoqërisë së biznesit dhe njihej në opinionin e gjerë të Shkodrës si njeri korrekt, punëtor dhe human. Që në fillim të viteve të para të demokracisë, Gëzim Dibra, së bashku me tre miq të tij, kanë ngritur një biznes, i cili aktualisht është ndër më të suksesshmit në zonën e Veriut të Shqipërisë.
Lëvizjet në Parlament
Ndryshimet më të mëdha në Parlament u shënuan para zgjedhjeve lokale të 8 majit, kur u larguan pesë deputetë që kandiduan për kryetarë bashkie. Nga PD-ja, Basha i la vendin Aurel Bylykbashit, Xhaferraj u zëvendësua nga Ndriçim Babasi dhe Ardian Kollozi u largua për t’i lënë vendin Kosta Barkës. Nga PS-ja ikën Gjokë Jaku dhe Fatos Tushe dhe në vend të tyre erdhën Arjon Muçaj dhe Ndrec Deda. Pak muaj më parë, me një vendim të Kushtetueses, u largua edhe Ilir Beqja dhe në vend të tij erdhi Paulina Hoxha.











