
Procesi disiplinor gjeti shkelje të rënda të kryera nga ish-kreu i Policisë së Dibrës, zgjerohet hetimi.
Burgaj: Ka një listë shkeljesh, është thirrur të firmosë të hënën.
Ish-drejtori i Policisë së Dibrës, Shemsi Prençi, përjashtohet nga Policia e Shtetit me një listë të gjatë shkeljesh ligjore.
Vendimi është firmosur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, mesditën e së premtes, më 27 prill 2012, pak kohë para se Prençi të dilte në media e të përsëriste akuzat ndaj drejtuesve të Policisë dhe Ministrisë së Brendshme. Lajmi për përjashtimin e Prençit nga Policia e Shtetit është konfirmuar dje nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj. Kreu i Policisë shqiptare, Burgaj, tha dje për gazetën “Panorama” se “është marrë vendimi për përjashtimin e Shemsi Prençit nga Policia. Burgaj sqaroi se shkeljet që i atribuohen Prençit do t’i bëhen të ditura vetë atij ditën e hënë. Është njoftuar të paraqitet ditën e hënë për të firmosur përjashtimin nga Policia. Ka një listë shkeljesh ligjore”, tha Burgaj. Burime të tjera nga Policia e Shtetit kanë thënë se ish-kreu i Policisë së Dibrës është në hetim tashmë për një kohëzgjatje kohore që tejkalon detyrat e mbajtura nga Prençi në Dibër apo në drejtimin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Sipas burimeve në fjalë, hetimi është kompleks, ndërsa nga veprimet e deritanishme është arritur të mblidhen prova e fakte të mjaftueshme për përjashtimin nga radhët e Policisë të Shemsi Prençit.
Akuzat
Këtë javë ai u shkarkua nga detyra e drejtorit të Policisë së Dibrës, pas inspektimit të kryer për punën e bërë prej tij në funksionin që i ishte ngarkuar. Më 25 prill, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklaroi se kishte nisur që në datën 23 prill procedimin disiplinor ndaj Shemsi Prençit. Ai, sipas deklaratës së Policisë, kishte krijuar marrëdhënie problematike me personelin e Komisariatit të Policisë Bulqizë, të cilët i ka fyer disa herë në rolin e eprorit si drejtor i Policisë së Qarkut. Po kështu, sipas Policisë, Prençi ka krijuar marrëdhënie problematike me institucionet, pasi ka përdorur fjalë fyese ndaj përmbaruesve gjyqësorë të Matit. Gjithashtu, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Prençi akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me ligjin, kur ka ndërhyrë në bllokimin e kamionëve të ngarkuar me material kromi. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë theksoi se Prokuroria e Dibrës dhe Matit i kanë cilësuar të paligjshme veprimet e kryera nga Shemsi Prençi në drejtimin e Policisë së Dibrës. Marrëdhënia problematike e Shemsi Prençit me Policinë u bë publike të paktën pas zgjedhjeve të 8 majit. Prençi denoncoi në Prokurori zv.ministrin e Brendshëm, Avenir Peka, duke e akuzuar për kanosje dhe fyerje për shkak të detyrës. Prokuroria i gjeti të pabazuara akuzat e Shemsi Prençit dhe pasi pyeti personat e përmendur në kallëzim, arriti në përfundimin se dosja në fjalë duhej pushuar për mungesë të elementeve të veprës penale. Prençi kishte vetëm pak muaj që ishte emëruar drejtor policie në Dibër, pasi më parë ka qenë titullar i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Policinë e Shtetit.
perjashtimi
Sipas nenit 11 të ligjit për policinë, “përjashtim nga Policia do të thotë një situatë, në të cilën marrëdhëniet juridike dhe administrative të punonjësit të Policisë me institucionin e Policisë së Shtetit ndërpriten pa asnjë mundësi rikthimi në
Polici”. Përjashtimi nga Policia, sipas konceptit që parashikon ligji, ndodh në rastet kur punonjësi është i dënuar me vendim të formës së prerë, ose kur titullari gjykon se efektivi ka kryer shkelje e ka dhënë urdhra të paligjshëm, që janë të dënueshëm.
Shkeljet e Prençit
. Ka fyer personelin e Komisariatit të Policisë Bulqizë. Ka fyer me fjalë të rënda fyese një përfaqësues të Zyrës së Përmbarimit Mat
. Ka dhënë masa disiplinore për vartësit në mënyrë tendencioze
. Ka kryer lëvizje të personelit të pamotivuara dhe në kundërshtim me rregulloren e personelit të Policisë së Shtetit
. Ka kryer veprime arbitrare në kundërshtim me ligjin bazuar kjo dhe në vendimet e prokurorive të rrethit gjyqësor Dibër dhe Mat, të cilat i kanë cilësuar të paligjshme veprimet e kryera nga strukturat e Policisë së Qarkut Dibër për sekuestrimin e kamionëve të ngarkuar me mineral kromi, veprime këto të urdhëruara prej tij në cilësinë e Drejtorit të Policisë së Qarkut.
Prençi, i akuzuar për kryengritje më 14 shtator 1998
TIRANE – Shemsi Prençi është i pandehuri nr.2, pas Ekrem Spahisë, në listën e personave të akuzuar për ngjarjet e 14 shtatorit 1998 në Tiranë. Për shumë kohë, Prençi ishte në listën e të pandehurve për procesin e bujshëm që zgjati për disa vite, pa një vendim fajësie apo pafajësie. Më 12 nëntor 2009, Gjykata e Tiranës vendosi të ndërpresë gjykimin që zhvillohej prej vitesh në adresë të tetë personave që ishin akuzuar për kryengritje të armatosur më 14 shtator 1998, referuar ngjarjeve të cilat ndodhen gjatë varrimit të Azem Hajdarit. “Organi i Prokurorisë ka kërkuar tërheqjen e materialeve të procedimit penal me nr.2086/1, pranë kësaj Prokurorie për vazhdimin e hetimeve të mëtejshme, pasi nga hetimi i procedimit penal nr.2086/3, viti 1998, i cili është një procedim i lidhur me këtë objekt gjykimi, ky organ akuze i ka dhënë një cilësim të ri juridik, duke e kualifikuar atë sipas neneve 233, 140 të K.Penal, pra për veprat penale të ‘krijimit të turmave të armatosura’ dhe ‘vjedhjes me armë”’, thuhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës të vitit 2009. Pasi tërhoqi dosjen në fjalë, Prokuroria vendosi të mos e dërgojë më në Gjykatë fashikullin në fjalë, duke pushuar akuzat për të pandehurit ku përfshihej edhe Shemsi Prençi.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











