FIFA është treguar shumë e ashpër në luftën kundër korrupsionit. Edhe pse manipulimet vazhdojnë, ato nuk fshihen nga memoria e institucionit botëror të futbollit. Komisioni i Disiplinës pranë FIFA-s ka vendosur përfundimisht pezullimin përjetësisht të gjashtë arbitrave që morën pjesë në dy miqësoret e zhvilluara në Antalia të Turqisë. Dy ndeshjet miqësore, Bullgari-Estoni, Bolivi-Letoni, janë në listën e zezë të FIFA-s dhe faji për këtë skandal ka rënë mbi gjyqtarët. Tre gjyqtarët nga Bosnjë-Hercegovina, Sinisa Zrniç, Kenan Bajramoviç dhe Rizah Ridoloviç, janë pezulluar përjetësisht nga futbolli. Masë ndëshkimore të njëjtë ka marrë dhe treshja tjetër nga Hungaria, Kolos Lengjel, Janos Çsak dhe Krisztian Selmezi, që gjykuan dy ndeshjet në Turqi. Sipas hetimeve të bëra deri tani, por që ende nuk kanë përfunduar, ka rezultuar se dy takimet e mësipërme kanë qenë të trukuara, kjo nisur nga bastet e vëna për këto dy takime dhe mënyrën e arbitrimit nga këta gjyqtarë.











