Nëse keni marrë një kredi për shtëpi, të cilën nuk e shlyeni dot, do të përballeni me Policinë.Përmbarimi gjyqësor do të kërkojë bllokimin e pronës, por ndryshe nga sa ka ndodhur deri tani, në aksion nuk do të jenë vetëm juristët e Përmbarimit. Nëse kundërshtoni ata, do të shoqërohen nga efektiva të Policisë së Shtetit. Një udhëzim i përbashkët i Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë përcakton rregulla të qarta për angazhimin e policisë, veprimet e Përmbarimit gjatë ekzekutimit të vendimeve gjyqësore. Shembja e ndërtimeve të ndryshme, lirimi i tokave apo banesave dhe trojeve që kanë qenë objekt i vendimeve gjyqësore, mund të kryhet nga Përmbarimi me mbështetjen e policisë, por, për këtë, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, dhe zv. ministrja e Drejtësisë kanë hartuar e firmosur një udhëzim të përbashkët. Udhëzimi përcakton se policia duhet të informohet me shkrim para ndërhyrjes që kërkohet të bëhet. Po kështu, për të shmangur njëanshmërinë e policisë në këto ndërhyrje, Ministria e Brendshme dhe e Drejtësisë theksojnë se çdo aksion ku janë të pranishme forcat e rendit, do të shoqërohet me mbikëqyrjen e rreptë të tyre. Sipas udhëzimit, Policia e Shtetit ndërhyn për ruajtjen e rendit dhe qetësisë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutive (vendimeve të gjykatave) nga Përmbarimi Gjyqësor Shtetëror.
Ndërhyrjet e Policisë
Policia ngarkohet që në këto ndërhyrje të shmangë konfliktet që mund të bëhen shkak për vepra penale si dëmtimet e pronës apo shtetasve, plagosjet apo vepra të tjera penale. “Policia e Shtetit bashkëpunon me Drejtorinë e Përgjithshme të Përmbarimit dhe zyrat vendore të Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror për të siguruar rendin dhe qetësinë publike para, gjatë dhe pas ekzekutimit të titujve ekzekutivë, me qëllim zbatimin e legjislacionit në fuqi, duke respektuar pavarësinë e tyre dhe shmangien e konflikteve civile që mund të gjenerojnë vepra penale”, thuhet në udhëzimin e datës 3 qershor 2001, firmosur nga dy ministritë. I njëjti dokument udhëzimi ngarkon Përmbarimin që të kërkojë ndërhyrjen e Policisë së Shtetit vetëm për ato raste kur ka të dhëna se gjatë ekzekutimit të vendimit të gjykatës, mund të ketë pengesa apo rezistencë në vënien në zbatim të vendimit të gjykatës. “Kërkesat për bashkëpunim kufizohen vetëm në ato raste kur strukturat e Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror çmojnë që gjatë kryerjes së procedurave të ekzekutimit të titujve ekzekutivë do të ketë pengesa apo rezistencë për kryerjen e detyrës apo kur ka arsye të besueshme prej të cilave rrezikohet jeta e personave të pranishëm dhe ndërhyrja policore është e domosdoshme”, thuhet në udhëzim.
Udhëzimi
Udhëzimi i përbashkët i dy ministrinë përcakton se policisë i duhet bërë kërkesë të paktën tri ditë para datës kur kërkohet të ndërhyhet për zbatimin e vendimeve të gjykatës nga Përmbarimi. Për rastet e urgjencës, lejohet edhe njoftimi verbal, mirëpo kërkohet që kërkesa me shkrim të mos vonojë më shumë se 24 orë nga data e zbatimit të vendimit të gjykatës. Policia, nga ana tjetër, ngarkohet që, pasi të marrë informacion mbi natyrën e vendimit që do të ekzekutohet, të përcaktojë numrin e efektivave me të cilët do të marrë pjesë, kohëzgjatjen e veprimeve dhe një sërë çështjesh të tjera.
Pikat kryesore të udhëzimit
. Me qëllim sigurimin e bashkëpunimit, zyrat vendore të Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror i drejtohen Policisë së Shtetit në rrugë zyrtare jo më vonë se 3 ditë përpara ekzekutimit të titujve ekzekutivë. Në rastet e urgjencës apo të ekzekutimit të titullit në mënyrë të menjëhershme, njoftimi bëhet verbalisht, por në këtë rast kërkesa me shkrim paraqitet jo më vonë se 24 orë përpara ekzekutimit të titullit ekzekutiv.
. Në kërkesën për bashkëpunim, zyrat vendore të Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror paraqesin çdo informacion të nevojshëm lidhur me situatat e krijuara në përputhje me pikën 2 të këtij udhëzimi, me qëllim marrjen e masave parandaluese dhe mundësimin e ekzekutimit të titujve ekzekutivë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
. Policia e Shtetit detyrohet t’i përgjigjet kërkesës së bërë brenda 2 ditëve nga marrja e saj, me përjashtim të rasteve, të cilat çmohen se paraqesin urgjencë të veçantë apo legjislacioni në fuqi e parashikon ndryshe.
n Me qëllim dhënien e ndihmës së kërkuar, Policia e Shtetit në varësi të situatës përcakton e vlerëson shkallën e rrezikshmërisë që mund të paraqitet gjatë procesit të ekzekutimit dhe mbi këtë bazë planifikon personelin, mjetet, pajisjet dhe mbështetjen teknike të nevojshme.
. Në rast se për shkak të përmbushjes së detyrave të saj funksionale, për arsye madhore apo shkaqe të tjera të rëndësisë së veçantë, Policia e Shtetit nuk mund të mbështesë zyrat vendore të Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror, strukturat e Policisë së Shtetit njoftojnë me shkrim ose me mjet tjetër komunikimi këto struktura për mosmbështetjen me forca e mjete në datën e kërkuar, të paktën mbi 12 orë përpara datës dhe orës së caktuar për ekzekutim, duke argumentuar arsyen e mosbashkëpunimit apo të mosveprimit.
“Përmbarimi të ruajë sekretin kur merr informacion policor”
TIRANE – Udhëzimi i dy ministrive tregon kujdes të veçantë për të shmangur mundësinë që policia të ushtrojë dhunë apo të mbajë anë në rastet kur ndërhyn në mbështetje të Përmbarimit. “Gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë, Policia e Shtetit eviton rastet e ndërhyrjeve nga të tjerët, si dhe merr masa për të ndaluar rastet e shpërdorimit të detyrës nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke favorizuar padrejtësisht ndonjërën nga palët”, thuhet në udhëzim. Sipas tij, përmbaruesi Gjyqësor, pas ekzekutimit të titujve ekzekutivë, përpilon procesverbalin për ekzekutimin pa probleme, të nënshkruar nga palët pjesëmarrëse në ekzekutim, si dhe përfaqësuesi i Policisë së Shtetit. Dokumenti kërkon që një kopje e procesverbalit t’i dorëzohet përfaqësuesit të Policisë së Shtetit të pranishëm në ekzekutim. Dy ministritë kanë rënë dakord që për çdo informacion të marrë gjatë ushtrimit të veprimtarisë, i cili mund të jetë me interes për strukturat e Policisë së Shtetit, përmbaruesit Gjyqësorë kanë detyrimin e ruajtjes së fshehtësisë në raport me të tretët, përveç strukturave të Policisë së Shtetit, organit të prokurorisë apo gjykatës. Udhëzimi ngarkon për zbatimin e tij Drejtorinë e Përgjithshme të Përmbarimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
© Panorama.al











