
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, e cilësoi të rëndë dhe jonormale situatën e deridjeshme në institucionin që ajo drejton, për shkak të lënies bosh për një kohë të gjatë të 4 anëtarëve të trupës gjyqësore.Njëkohësisht, Beçaj kërkoi angazhimin e Presidentit të Republikës dhe të pushteteve Legjislativ dhe Ekzekutiv që situatë të mos përsëritej. Kjo, për shkak se plotësimi në kohë i vendeve të gjyqtarëve të mbetura bosh, do të sillte më shumë çështje të shqyrtuara, më pak zvarritje procesesh dhe funksionim të Kolegjeve të Bashkuara. Deklaratat e kryetares Beçaj u bënë gjatë ceremonisë së betimit të të dy anëtarëve më të rinj të Gjykatës së Lartë, gjyqtarëve Edmond Islamaj dhe Shkëlzen Selimi. Lajmi u bë i ditur nga shefja e Marrëdhënieve me Publikun dhe Median në Gjykatën e Lartë, Ida Vodica. “Anëtarët më të rinj të Gjykatës së Lartë u betuan solemnisht se do t’i qëndrojnë kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi, duke respektuar rregullat e etikës profesionale”, njoftoi zyrtarisht Vodica. Bëhet e ditur se anëtarët Edmond Islamaj dhe Shkëlzen Ismaili vijnë nga radhët e Gjyqësorit me një përvojë të gjatë punë si gjyqtarë, si edhe kanë dhënë kontribute në veprimtari të tjera të rëndësishme.
BEÇAJ
Në fjalën e saj në ceremoni, Beçaj shprehu problemet që ka sjellë në funksionimin e Gjykatës së Lartë vonesa në mosplotësimin e vendeve të lira. Sipas saj, në rast se vendet e lira do të ishin plotësuar në kohë, Gjykata e Lartë do të kishte shqyrtuar 2500 çështje më shumë. “Krahas kënaqësisë, ne ndjehemi disi të çliruar, pasi kjo Gjykatë për një kohë shumë të gjatë është lënë me vende vakante (4 e më pas 3 dhe tani 1 vend vakant), që e konsideroj një situatë të rëndë e aspak normale, pasi në këtë Gjykatë gjykohen çështje të rëndësishme, të vështira, delikate, që për qytetarët kanë rëndësi jetike. Në qoftë se vendet vakante do të ishin plotësuar në kohën e duhur, nga numri total i çështjeve të mbetura për shqyrtim deri tani do të ishin rreth 2500 çështje më pak”, u shpreh Beçaj. Po sipas numrit një të Gjykatës së Lartë, “mosfunksionimi me trupë të plotë, objektivisht ka sjellë zgjatjen e kohës për përfundimin e gjykimit të çështjeve dhe mosfunksionimin në disa raste të Kolegjeve të Bashkuara për unifikimin e praktikës gjyqësore”. Njëkohësisht, kryetarja Beçaj kërkoi dje angazhim nga kreu i shtetit dhe pushtetet Legjislativ dhe Ekzekutiv në “kujdesin” ndaj Gjyqësorit. “Kërkoj angazhimin e Presidentit të Republikës e dy pushteteve të tjera për të mos lejuar të përsëriten raste të tilla me mbarimin e mandateve të gjyqtarëve të kësaj Gjykate. Gjithashtu, vlerësoj të kërkoj nga politika shqiptare e deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ndërmarrjen e hapave konkretë për çuarjen përpara të reformave në Gjykatën e Lartë, si një proces kompleks që kërkon angazhimin e të gjithë pushteteve për të propozuar, shqyrtuar dhe miratuar një kuadër ligjor që i përgjigjet kërkesave për një proces gjyqësor të drejtë, të paanshëm e që realizohet brenda afateve të arsyeshme”, pohoi Beçaj.
Kushtetuesja, tre anëtarë jashtë mandatit
Problematika me zëvendësimin e anëtarëve që u ka mbaruar mandati ka prekur edhe Gjykatën Kushtetuese. Pavarësisht anëtarëve të rinj që u dekretuan dhe u emëruan nga Presidenti i Republikës vitin e fundit, aktualisht Gjykata Kushtetuese ka sërish probleme në përbërjen e saj. Kështu, tre anëtarëve të kësaj Gjykate u ka mbaruar mandati, por zëvendësimi i tyre është i pamundur. Për shkak se zëvendësimi i anëtarëve të mëparshëm u krye me vonesë, procedura është postuar në një mënyrë të tillë që ligji pengon tani zëvendësimin e tre anëtarëve të Kushtetueses, që u ka mbaruar mandati. Anëtari i fundit i emëruar me dekret të Presidentit dhe me votim nga Kuvendi, e mori mandatin në një kohë kur tre kandidatë të tjerë nuk u hodhën fare në votim në Kuvend. Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese interpretoi se nuk lejohej zëvendësimi i më shumë se gjashtë anëtarëve të saj në të njëjtën kohë.
Bejleri u rrëzua në Komisionin e Ligjeve
Kandidatja e tretë e dekretuar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi për emërim në Gjykatën e Lartë, Manjola Bejleri, u rrëzua në Komisionin e Ligjeve. Ky komision dha mosmiratimin me anëtarët e maxhorancës, gjatë shqyrtimit të kandidaturës së Manjola Bejlerit. I njëjti qëndrim u mbajt edhe në seancën e Kuvendit, ku kandidaturat e dekretuara nga Presidenti i Republikës u hodhën në votim nga deputetët. Manjola Bejleri përfundimisht u refuzua nga Kuvendi, i cili me 72 votat e maxhorancës dha miratimin për emërimin e dy kandidatëve të tjerë në Gjykatën e Lartë, Edmond Islamaj dhe Shkëlzen Ismaili. Pas situatës së krijuar me prezantimin në detyrë të anëtarëve të rinj, Gjykata e Lartë ka tashmë edhe një vend vakant për të plotësuar. Për këtë pritet që Presidenti të dekretojë kandidaturën e ardhshme, e cila më pas do t’i nënshtrohet procedurave parlamentare deri në emërimin në detyrë. Tri kandidaturat e fundit të Presidentit për Gjykatën e Lartë qëndruan në pritje për rreth 3 muaj, pasi deputetët e PD iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për interpretim në lidhje me procedurën e përzgjedhjes së kandidaturave. Kushtetuesja vendosi që Presidenti duhet të koordinohet me Parlamentin në zgjedhjen e emrave.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











