U kthye nga Italia vetëm një ditë para dasmës dhe kishte planifikuar me detaje që të na vriste të gjithëve. Na telefonoi me radhë, por e kuptuam se diçka po kurdiste, ndaj iu shmangëm. Filloi të na kërkonte me ngulm dhe gjeti
Vullnetin të parin. Kjo është vetëm një pjesë e dëshmisë së familjarëve të
viktimës, Vullnet Cjapi, i cili u nda nga jeta 3 ditë më parë i qëlluar tri herë me pushkë nga babai i tij, Yzeiri. Vëllezërit e tij rrëfejnë të njëjtën histori; një baba idhnak për çdo gjë dhe çdo njeri, si dhe tentativa edhe në të kaluarën për të vrarë. “Ishte tipi që grindej me çdo person, pa asnjë shkak. Na kërkonte
që të mos i flisnim asnjë të afërmi. U zu me vëllezërit e tij, xhaxhallarët tanë, me hallat, tezet, dajat, gjithë fisin. I ngelej qejfi për gjithçka. U
mërzitëm me këto histori dhe përpiqeshim fillimisht të komunikonim fshehtas me të afërmit tanë, ndërsa më vonë unë dola hapur. Ngadalë,
ashtu bënë dhe vëllezërit e motrat, por babai na kërcënonte vazhdimisht.
Megjithatë, patëm rënë pak të qetë se iku të punonte në Itali, derisa u kthye direkt me planin për të na shfarosur të gjithëve”, tregon djali i madh
i familjes Yzeiri, Dritani. Ai është i bindur për këtë plan, pasi, sipas tij, babai është kthyer pa lajmëruar vetëm 1 ditë para dasmës. “Është
kthyer të premten në mëngjes dhe direkt ka shkuar në Berat, ku ka blerë plumba. Nënës i kishte thënë se i kishte për gjueti, se do të dilte të
shtunën nëpër fusha për gjah, por ne dyshuam menjëherë. Ia njihnim tipin dhe na kishte kërcënuar që para se të ikte në Itali, se, nëse do të merrte vesh që komunikonim me fisin, do të na vriste. Na telefonoi me radhë
dhe na pyeti të gjithëve nëse do të shkonim në dasmë. Përveç meje, të gjithë të familjes e mohuan, edhe pse erdhën”, vijon Dritani, ndërsa shton se është përpjekur që t’i mbledhë të gjithë fëmijët në shtëpi: “Kishte qëllim të
na mblidhte bashkë dhe të na vriste, kjo është edhe arsyeja që ne u shpërndamë. Duke qenë se iu larguam, ai filloi të na kërkonte vetë dhe gjeti
të parin Letin (Vullnetin). Pasi e vrau atë, ka filluar të na kërkojë ne të tjerëve, duke na thirrur në emër të shtëpia e dajës, Muratit, pasi ka kujtuar që jemi ende atje dhe ka qëlluar derisa i janë mbaruar plumbat”. Versionin e tij
të dëshmisë e mbështesin edhe motrat e vëllezërit. Janë 6 gjithsej ose më saktë ishin: katër djem dhe dy vajza. Por më shumë nga të gjithë,
paralajmërimin për vrasje nga babai e ka ndjerë Altini, i parafundit në rendin e këtyre fëmijëve. “Mua ma tha troç që do t’më vriste. Plumbi i parë ka qenë për mua”, thotë ai, ndërsa kërkon djegie me benzinë për të atin. “Nëse ka
drejtësi në shtet, mos ta nxjerrin më nga burgu. Po e nxorën, jemi të detyruar që ta vrasim përpara, sepse ndryshe do të na vrasë ai ne. Me atë jashtë burgut, i bie që ne të mbajmë varret e hapura për veten dhe fëmijët tanë. Të
ishte për mua, do të dëshiroja që të digjej me benzinë. Por, meqë shteti ka marrë përsipër ta dënojë tim atë, do të lutem që ta mbajnë pas hekurave
përjetë”, thotë Altini, i cili nuk konsideron se në shtëpinë e Vullnet Cjapit ishte vetëm ai viktimë, por edhe katër të tjerë: “Janë gruaja dhe
fëmijët, pa punë, pas asnjë të ardhur. Të gjithë viktima të babit tim, Yzeirit!
Bashkëshortja: “Nuk ia fal tim shoqi gjakun e djalit”
Janë të gjithë në një mendje. Yzeir Cjapi nuk është më babai i tyre. Asnjeri prej fëmijëve të tij, por edhe nga vëllezërit e motrat, nuk kanë shkuar për ta
vizituar në paraburgim autorin e vrasjes. Madje, ata kanë bërë një marrëveshje dhe betim me njëri-tjetrin për të mos iu afruar kurrë më atij dhe ai që e thyen këtë, do të konsiderohet njësoj si Yzeiri. Këtij vendimi i
është bashkangjitur edhe bashkëshortja e tij, Gjylja, e cila ka vendosur që të mbajë anën e fëmijëve në këtë tragjedi. “E kam mbrojtur gjithë jetën, tani nuk
mundem dot më. Nuk ma lejon dot gjaku i djalit tim”, thotë ajo, ndërsa vijon të vajtojë të birin. Në prehër dhe mbi supe i rrinë dy mbesat dhe nipi, tre fëmijët e vegjël tashmë jetim nga babai. “Me dhimbjen mbi vete isha
mësuar. E duroja. E kam duruar gjithë këto vite dhe nuk kam folur kurrë se ç’tortura më bënte, vetëm e vetëm që mos t’i fusja në konflikt fëmijët, por gjëmën që më bëri nuk ia fal”, shton Gjylja e pas saj e konfirmon
edhe njëri nga djemtë. “E ka futur edhe nënën në vaskë për ta mbytur. U kthyem rastësisht në shtëpi dhe ia hoqëm nga dora, ndërsa ai shante e bërtiste. Kjo (nëna) nuk tregon, por gjithnjë e ka rrahur, torturuar e
keqtrajtuar”, thotë ai. Ndërkaq, e ëma i kërkon që të mos hapë këto histori të vjetra. “Kemi gjëmën e re, lëre ç’më ka bërë mua. Asgjë nuk krahasohet me
vdekjen e djalit tim”, këmbëngul ajo. “E vetëdijshme” se “nuk ka burrë shqiptar që s’e rreh gruan e tij”, Gjylja e quan krejt normale atë çfarë i ka bërë
asaj bashkëshorti, por të pafalshme përgjithmonë atë që i bëri të birit.
“Qëlloi derisa iu mbaruan plumbat”
Përveç 3 anëtarëve të familjes Bami, është edhe një tjetër e afërme që është plagosur nga Yzeir Cjapi. Bëhet fjalë për kunatën e tij (tezja e viktimës), Sabire Kumaraku. Ndryshe nga të plagosurit e tjerë, ajo ka dalë nga spitali menjëherë pas mjekimit të nevojshëm, pasi plagët e saj kanë qenë të lehta. Megjithatë, minutat e tmerrit duket se kanë qenë shumë të vështira.
“Nuk kishte shumë që kishte përfunduar dasma dhe vetëm kur na erdhi telefonata që Yzeiri kishte vrarë Letin (Vulletin). Menjëherë morëm që të dilnim te dera e të niseshim për të shtëpia e tij, kur na u shfaq më armë në
dorë Yzeiri. Filloi të qëllonte drejt nesh dhe saçmet u shpërndanë kudo, disa prej të cilave më kapën dhe mua”, thotë ajo, ndërsa tregon shenjat
e saçmeve në trup. Më së shumti i ka në bark dhe në gjoks, ndërsa vetëm një, pranë qafës. “U shtrimë të gjithë përdhe dhe nuk morëm vesh për disa çaste, sa nga ulërimat e sa nga të shtënat, derisa i mbaroi plumbat. Më
pas, krejt i qetë u largua që aty dhe nuk mbaj mend saktë çfarë ndodhi, pasi më zuri gjaku”, rrëfen Sabirja.
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











