Vëllezërit e Dedës padisin gardistin

Feb 28, 2012 | 12:37

TIRANE – Tre vëllezërit e Hekuran Dedës, shtetasit Zabit, Agim dhe Hilmi Deda, padisin në prokurori efektivin e Gardës së Republikës, Fatos Skeja, duke e akuzuar për moskallëzim krimi. Më 23 shkurt 2012, vëllezërit e të vrarit më 21 janar kanë depozituar padi në prokurori për oficerin që sipas tyre i ka shkuar në shtëpi dhe pasi i ka ngushëlluar, u ka kërkuar të bënin kompromis me vdekjen e vëllait. Në padinë e vëllezërve Deda, gardisti akuzohet për moskallëzim krimi dhe kryerje të veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës së kësaj ngjarjeje. Sipas padisë, më 23 janar, dy ditë pas vrasjes së Hekuran Dedës, gardisti në fjalë është paraqitur në shtëpinë e tyre. Fatos Skeja, sipas padisë, u ka kërkuar vëllezërve të Hekuran Dedës të pranojnë Kryeministrin për ngushëllim pa praninë e kamerave dhe të mediave. Sipas padisë, gardisti ka ofruar në këmbim të kësaj emrin dhe fotografinë së personit që vrau Hekuran Dedën. Vëllai i Hekuran Dedës, njëri nga paditësit e gardistit, ka deklaruar se Skeja i kishte ofruar edhe një shumë parash. Në padi thuhet se Skeja, kur shkoi në shtëpinë e familjes Deda, kishte marrë me vete një valixhe në të cilën ka pasur një shumë parash. Sipas kallëzimit, efektivi i Gardës kishte përdorur një ndërmjetës për të shkuar në shtëpinë e familjes nga Dibra, banues në Laknas. Disa minuta pasi oficeri po qëndronte në shtëpinë e tyre, vëllezërit e Hekuran Dedës i kanë thënë se nuk bënin pazar me vdekjen e vëllait dhe kanë kërkuar që gardisti të largohej. Para se të bënin padi në prokurori, të afërmit e Hekuran Dedës deklaruan në media ngjarjen e ndodhur me gardistin. Pas këtyre deklaratave, Fatos Skeja ka bërë padi në gjykatë për shpifje ndaj të afërmve të Hekuran Dedës. Në një faksimile të padisë, të shpërndarë për median pak kohë më parë, Skeja deklaroi se vëllai i Hekuran Dedës qëllimisht ka përhapur thënie të rreme publikisht. Për këtë Skeja kërkoi një dëmshpërblim në gjykatë.

© Panorama.al

Te lidhura