Vëllai: Vrasja se Rajmonda s’pranoi të linte të shoqin

May 16, 2012 | 15:15
Viktima Rajmonda Sota

Familjarët e 27-vjeçares Rajmonda Sota, e ekzekutuar me armë zjarri disa ditë më parë, kërkojnë arrestimin e autorit dhe dënimin maksimal të tij.
Ata pohojnë se ndihen të kërcënuar, pasi autori, Erjon Cjapi, i ka telefonuar pas krimit dhe u ka pohuar vrasjen e dyfishtë. Vëllai i Rajmondës, Marjus Greca, pohoi se 32-vjeçari i shpallur në kërkim e kishte kërcënuar vazhdimisht të motrën duke i kërkuar asaj të linte bashkëshortin.
Z. Greca, ju thoni se pas vrasjes ju ka telefonuar autori i dyshuar, Erjon Cjapi. Çfarë ju tha ai?
Më mori me një numër të fshehur dhe më pohoi krimin që kishte kryer. Ai më tha se “unë e vrava motrën tuaj dhe se tani do të nisem për në Angli”. Për motivin e vrasjes më tha pyet motrën time…
Vjehrra e Rajmondës ka pohuar se ai e kërcënonte vazhdimisht dhe se kishte krijuar probleme disa herë në lokalin e saj. Ju keni qenë në dijeni të kësaj?
Po, kam qene edhe unë në dijeni. Disa herë ajo është ndier e kërcënuar. Ai i vinte në lokal, hante e pinte dhe i thoshte “do të të vras, por mos hap gojë për mua”. I vodhi telefonin dhe i tha që “fotot e tua do t’i shpërndaj nëpër shtylla”.
Po pse i bënte të gjitha këto autori ndaj motrës suaj?
Ai i kishte kërkuar asaj që të linte bashkëshortin që e kishte emigrant në Itali dhe të jetonte me të. Këtë ia kishte kërkuar disa herë, por është kundërshtuar gjithnjë nga Rajmonda. Ajo kishte dy fëmijë.
Ka kërkuar ndihmë në polici Rajmonda për këto kërcënime që thoni ju?

Erjon Cjapi, i dyshuar si autor i vrasjes së dyfishtë

Ajo kërkoi disa herë ndihmë në polici. Edhe një ditë që ishin në Lushnjë ajo bashkë me dy motrat e tjera, ai e kërcënoi në praninë e tyre. I tha se do ta vriste në mes të pazarit. Rajmonda i tha vetëm mos t’ia prekte fëmijët. “Lëre burrin dhe më merr mua”, i thoshte. Ai vinte çdo ditë në lokal dhe bënte sherr për këtë gjë, por askush nuk e mendoi se do të shkonte situata deri në këtë pikë dhe ai të merrte me të vërtetë armën e të shtinte ndaj saj.
Ju ndiheni të kërcënuar pas telefonatës së fundit të Erjon Cjapit?
Po, ndihemi patjetër, se ai i tillë është. Rrimë me frikë këtu se nuk e dimë se ç’mund të na bëjë. Duke e njohur që ai është i dhunshëm, kemi frikë. Policia të marrë masa për arrestimin e tij. Ne i kërkojmë Drejtësisë të japë dënimin e merituar pasi ka marrë dy jetë njerëzish.

LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura