Vëllai i të dënuarit rreh gardianin brenda në burg

May 9, 2012 | 15:35
Burgu 325 në Tiranë

Një gardian i Burgut 325 në zonën e “Ali Demit” në Tiranë, është rrahur në ambientet e brendshme të vendit të punës nga vëllai i një të dënuari. Incidenti ndodhi mbrëmjen e së hënës, kur Dorian Qafa, 30 vjeç, i dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale, ka shkuar në institucionin e vuajtjes së dënimit që t’i fuste brenda disa ushqime të vëllait Gerald Qafa. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, ngjarja ka ndodhur pas një debati mes gardianit dhe vëllait të të dënuarit, pasi pesha e ushqimeve që Qafa kërkonte të fuste në burg ishte disa gramë më shumë nga sasia e lejuar në rregulloren e burgut. Të njëjtat burime thanë se polici i burgut, Rexhep Murati, 32 vjeç, i ka kërkuar Qafës që të hiqte dy mollë nga qesja me ushqime dhe në këtë mënyrë zgjidhej gjithçka. Por, me sa duket, ai nuk ka pranuar, duke ngulur këmbë që të mos hiqte asgjë nga ushqimet që kishte sjellë. Në debat e sipër, situata mes gardianit Murati dhe Dorian Qafës është nxehur dhe Qafa ka nisur ta godasë me grushte e shqelma në fytyrë e pjesë të ndryshme të trupit duke mos ndaluar, derisa kanë ndërhyrë gardianët e tjerë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe forcat e Policisë së Komisariatit Nr. 1, që kanë ndaluar të dyshuarin, duke e shoqëruar në ambientet e komisariatit. Pas konsultimit me prokurorin është vendosur që i dyshuari të procedohet penalisht në gjendje të lirë me akuzën “goditje, fyerje, kanosje për shkak të detyrës”. Sipas Policisë, Dorian Qafa, bashkë me vëllain e tij, Gerald Qafa, i cili aktualisht vuan dënimin për prodhim dhe shitje narkotikesh, janë dënuar disa herë nga Drejtësia shqiptare. Tri vite më parë, Dorian e Gerald Qafa u arrestuan pasi tentuan të vidhnin një makinë luksoze në plazhin e Golemit, gjatë kohës që zhvillohej koncerti i grupit “Elita 5”. Ndërsa vite më parë, Gerald Qafa u akuzua si autori kryesor i vjedhje së makinës së ish-ministrit të Drejtësisë së asaj kohe, Arben Imami. Të njëjtat burime thanë se vëllezërit Qafa, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, kryesisht në zonën e “Ali Demit”, ku edhe banojnë, janë bërë protagonistë të disa ngjarjeve të ndryshme.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura