Ke ardhur për të fotografuar sheshin “Skënderbej” dhe dëshiron ta postosh në rrjetet sociale? Mirë, atëherë mund të logohesh në shërbimin e internetit falas që Bashkia e Tiranës ka vendosur në qendër të kryeqytetit, por së shpejti edhe në disa nga pikat më të frekuentuara nga qytetarët dhe turistët. Nisma “Tirana Smart City” e Bashkisë së Tiranës për ofrimin e shërbimit “Free WiFi” ka filluar të funksionojë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa së shpejti do të vijë edhe në disa nga hapësirat publike të qytetit si Pazari i Ri, “Qyteti Studenti” apo Parku i Liqenit.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në testimin e shërbimit të internetit falas në sheshin “Skënderbej”, i cili tashmë është kthyer tërësisht në funksion të këmbësorëve. “Po vijojmë punën në kantierin e sheshit “Skëndërbej”, por tani duke u krijuar mundësi qytetarëve të kenë akses në rrjet. Jemi bërë partnerë për t’u siguruar që në 7 pika të sheshit “Skënderbej” të kemi burim valor me shpejtësi 1 Gb, për të gjithë vizitorët. Sistemi i internetit është falas për të gjithë qytetarët. Pra, ata që duan ta vizitojnë sheshin, kanë edhe një mundësi më shumë për të ardhur këtu”, tha Veliaj.
Duke e cilësuar si një ditë të bukur për Tiranën që përqafon çdo ide inovatore, Veliaj ftoi qytetarët ta shfrytëzojnë këtë mundësi të re. Pas regjistrimit herën e parë, qytetarët do të lidhen automatikisht sa herë që kalojnë në sheshin “Skënderbej”, duke përfituar internet falas. “Testi ynë i parë e kaloi me sukses provën dhe dua t’i ftoj të gjithë, teksa shkoni në shesh, regjistrohuni një herë në rrjet dhe mandej, sa herë të kaloni këtu, do të lidheni automatikisht me internetin falas”, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.
“Duam të targetojmë çdo moshë, ndaj na vjen mirë që ka fëmijë që mësojnë biçikletën në shesh, na vjen mirë që të rinjtë vijnë për koncerte këtu, na vjen mirë kur të moshuarit zënë një hije dhe bëjnë bisedat e tyre, por duam çdo grupmoshë, sidomos adoleshentët, që ta përdorin internetin dhe teknologjinë në natyrë. Ndaj, edhe ata që thonë se rrinë në shtëpi sepse aty kanë internet, s’është e vërtetë sepse tani ka internet edhe në shesh”, tha Veliaj.
Ai tha se këtë verë Tirana do të jetë stacioni i yjeve të muzikës botërore, të cilët do të performojnë për publikun shqiptar. Shërbimi ËiFi publik ofrohet nga Bashkia e Tiranës nën emërtimin “Bashkia Tiranë Free WiFi”