Vedat & Dorela Ademi: Një djalë, dhurata që u vjen për Krishtlindje

Sep 3, 2012 | 15:28

Vedat Ademi, këngëtari i njohur i muzikës live dhe i jetës së natës në kryeqytet, së shpejti do të bëhet baba. Në pritjen e ëmbël për t’u bërë prindër, ai dhe bashkëshortja, Dorela, flasin për emocionet e bukura.

Vedati dhe Dorela në 30-vjetorin e ditëlindjes së këngëtarit me tortën speciale me mbishkrimin e veçantë

Do të jetë një djalë dhe ata mezi po e presin. Madje, babi Vedati ka nisur t’i bëjë koncerte recitale. Dhe reagimi i tij vjen menjëherë… Ca shkelmime në barkun e mami Dorelës. Muaji dhjetor, bashkë me festat e fundvitit do të sjellë edhe dhuratën më të bukur në jetën e çiftit Vedat dhe Dorela Ademi. Bashkëshortja e këngëtarit aq të dashur për publikun, sidomos atë femëror, është në muajin e gjashtë të shtatzënisë. Prej ditës së parë që mësuan lajmin e shumëpritur, i gjithë cikli i jetës së tyre ka ndryshuar ndjeshëm. Më të distancuar në frekuentimin e jetës së natës dhe daljeve me shoqërinë deri në orët e para të mëngjesit, pasi fokusi i momentit për të dy është vetëm fëmija. Një përvojë e panjohur për Vedatin dhe të shoqen, që sigurisht i ka gjetur pa eksperiencën prindërore, por jo pa dëshirën për të shtuar familjen dhe për t’i dhënë jetë krijesës së vogël që pritet të lindë pas disa muajsh.
Prindër të një djali
Lajmi i shtatzënisë ua turbulloi disi ujërat të dyve! E kishin dëshiruar, por jo planifikuar ardhjen në jetë të një fëmije. Edhe pse pas katër vitesh martesë dhe nëntë vitesh lidhjeje dashurie me njëri-tjetrin, për fazën momentale, as fare nuk e kishin çuar nëpër mend faktin e të bërit prindër. Ishte një nga ato surprizat tipike që të lënë pa fjalë, për nga befasia, duke të mbushur shpirtërisht për llojin e ndjesisë që emetojnë. “Dita që mora vesh se isha shtatzënë, mbetet e paharruar për mua. Ishte një mëngjes i herët, pasi mua më duhet të dal shpejt nga shtëpia, ndërsa Vedati, për shkak të punës dhe lodhjes gjatë natës me të kënduarit nëpër PUB-e, i duhet të fle deri në mesditë. Dhe kur testi i shtatzënisë më vërtetoi dyshimet që kisha, i kam shkuar Vedatit te krevati, duke i bërë zgjimin me të bërtiturat dhe euforinë time. Të dyve na erdhi gjithçka kaq e paparashikuar. Në  muajt e parë të shtatzënisë, as vet nuk e kuptoja ndryshimin që po ndodhte në trupin tim, rritjen e përmasave të barkut. Ndërsa tani jam në muajin e gjashtë dhe vërtet kam nisur të kuptoj çdo të thotë t’i japësh jetë një krijese të vogël. Ato shkelmimet e para, lëvizjet e bebit nëpër bark më kanë dhënë vërtet ndjesinë e mrekullueshme që vetëm qenia femërore mundet ta përjetojë: të qenit nënë”, shprehet bashkëshortja e këngëtarit. Shtatzënia e 31-vjeçares u ka ndryshuar tërësisht jetën, përfshirë edhe punët personale. Për Vedat Ademin, sezoni i verës, jo vetëm i përqendruar në kryeqytet, por edhe në zonat turistike të vendit, shënon edhe kulmin e punës. I angazhuar me të kënduarit live, dhe projektin e një bashkëpunimi muzikor e videoklipi të ri, për Vedatin kjo është një nga periudhat kur duhet të heqë dorë nga shumëçka për t’i qëndruar pranë së shoqes. Po ashtu edhe Dorela, e cila është e pozicionuar në një nivel drejtues si menaxhere e prodhimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike në rang Republike, përveç punës dhe masterit profesional që ajo po kryen në distancë në Amerikë, i duhet të kujdeset për dy veta njëherësh, për veten dhe djalin që pritet të lindë rreth muajit dhjetor. “Jam shumë i lumtur që do të bëhem baba i një djali. Tashmë e kam fituar trashëgimtarin tim dhe kjo gjë më gëzon. Kur mësova gjininë e bebit, të jem i sinqertë isha pak në siklet, pasi ne nga Kosova i dëshirojmë shumë fëmijët meshkuj. Me këtë nuk dua të tregoj anën time patriarkale, edhe pse në familje ne jemi katër vëllezër dhe një motër. Thjesht i dua shumë djemtë. Për momentin jam i përqendruar vetëm në shëndetin e sime shoqeje dhe foshnjës. Dorelës i përkëdhel shpesh barkun, ndërsa djalit përpiqem t’i këndoj ndonjë këngë të bukur, dhe ai menjëherë shkelmon. Po përjetoj një nga periudhat më të dashura të jetës sime”, thotë këngëtari Vedat Ademi.
Lindja, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Ishte zgjedhje e të dyve, që lindjen e foshnjës ta bëjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për ndokënd që e dëgjon për herë të parë, ka vend edhe për habi. Por, ata të dy i kanë kopsitur mirë gjërat, duke menduar edhe detajin më të vogël që ka lidhje me ardhjen në jetë të djalit. “Si unë edhe Vedati jemi të pajisur me dokumente amerikane. Ime motër jeton prej shumë vitesh atje, dhe mua më është dashur shpeshherë të shkel tokën amerikane. Një arsye tjetër është edhe masteri në distancë që unë po ndjek. Më kanë mbetur edhe dy semestra dhe ndërkohë që duhet të lind, më duhet edhe të përfundoj shkollën. Besoj se është diçka e mirë për bebin, por edhe ne si prindër që kemi shumë ankth dhe pikëpyetje rreth procesit të lindjes, sigurisë gjatë saj etj. Na jep më shumë besim fakti që do e lind bebin në Amerikë. Kam përpara dy misione nga më të rëndësishmet për jetën time”, thotë Dorela. Për 31-vjeçaren, që ka zënë vendin e zemrës te këngëtari njohur Vedat Ademi, gjithë kursi i jetës përpara se të mësonte lajmin se do të bëhej nënë, kish qenë vetëm shkollë, kualifikime profesionale… Tashmë asgjë nuk është më si më parë…

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura