Tentativa për të shuar etjen e bagëtive nëpërmjet ujit të marrë me korrent në një shpellë përfundoi tragjikisht me vdekjen e dy vëllezërve.Policia e Tepelenës bëri të ditur mbrëmë se dy vëllezër nga fshati Salari humbën jetën teksa janë përpjekur të nxjerrin ujë me një gjenerator. Ngjarja ndodhi në orët e vona të pasdites së djeshme, rreth 4 km mbi fshatin Salari të Tepelenës, në malin e Këndrevicës, në një shpellë të quajtur nga banorët e zonës “Sisa e Gege”. Në shpellë, e cila është në formën e një pusi të thellë që mban ujë, u gjetën të vdekur Njazi dhe Xhevit Gogo, nga fshati Salari. Dy vëllezërit barinj, njëri 45 dhe tjetri 35 vjeç, teksa e kanë parë të pamundur të shuanin etjen e të imtave që kullotnin, kanë menduar të gjenin mundësinë që t’u çonin ujë për të pirë në kullotë. Me instalimin e një gjeneratori elektrik do të krijonin mundësinë për tërheqjen e ujit nga thellësia e shpellës dhe sjelljen e tij në ulluqet e bagëtive. Në momentin kur kanë vënë gjeneratorin në punë me një kabllo që përshkonte gati 50 metra gjatësi deri në shtëpinë e tyre që ndodhej afër shpellës, rrjeti elektrik ka ndeshur në masë. Kjo ka qenë fatale për jetën e Njazi Gogos, të cilin e ka zënë korrenti dhe ra i pari në thellësinë e ujit të shpellës. Sapo ka parë të vëllain të bjerë pa ndjenja në thellësi, Xheviti është hedhur për ta shpëtuar pa i shkuar në mendje se kablloja me korrent kishte rënë në ujë. Edhe hedhja e vëllait të vogël ka qenë fatale, pasi ka rënë në kontakt me korrentin dhe vdekja ishte e menjëhershme. Të dy vëllezërit janë parë të qëndronin të vdekur në sipërfaqe të ujit nga dy fëmijë. Të tmerruar, fëmijët dhanë alarmin në fshatin Salari. Banorë të shumtë të fshatit dhe familjarët e tyre mbërritën në vendin e ngjarjes dhe arritën t’i nxirrnin viktimat nga thellësia e shpellës, ndërkohë që në familjen e vëllezërve ra kuja. Në vendngjarje mbërritën edhe forcat e policisë dhe grupi hetimor për të kryer procedurat e nevojshme. Ky është rasti më i rëndë në humbje me njerëz që ndodh në fshatin Salari në 40 vitet e fundit. Viktimat ishin kryefamiljarë të dy familjeve, ndërsa mësohet se kanë lënë jetimë edhe disa fëmijë. Mbrëmë, në fshatin Salari, kishte nisur morti. Policia tha se ka nisur hetimet, por gjithsesi, pista në të cilën janë duke hetuar, bazuar edhe në dëshminë e familjarëve, ka të bëjë me një ngjarje aksidentale pikërisht me tentativën e tyre për të nxjerrë ujin me anë të korrentit.
TEPELENE/ PIRO NASE











