TIRANE – Humb jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë efektivi i policisë së Komisariatit Nr. 6, Ruzhdi Çullhaj, i cili u aksidentua rëndë nga një automjet mbrëmjen e së hënës te mbikalimi i Kamzës në Tiranë. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, efektivi i policisë gjeti vdekjen pasi nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra në aksidentin e rëndë që ndodhi të hënën. Efektivi i policisë ka qenë duke ecur në anë të rrugës mbrëmjen e së hënës kur një makinë me targa të huaja, në të cilën ndodhej një shtetas nga Kosova, ka ulur shpejtësinë dhe më pas ka ndaluar. Drejtuesi i mjetit ka hapur xhamin dhe i ka folur policit duke e pyetur nga duhej të vazhdonte për të hyrë në rrugën që të shpie nga Tirana në drejtim të verilindjes e më pas në Kosovë. Efektivi i policisë ka qenë duke sqaruar qytetarin nga Kosova në momentin kur një makinë e dytë ka kaluar aty dhe ka goditur rëndë atë. Oficeri Ruzhdi Çullhaj mbeti i plagosur, ndërsa shtetasi nga Kosova, Naser Rushi, mori dëmtime dhe të dy u dërguan në spital. Autori i aksidentit ishte shtetasi Jeton Bogdani, i cili drejtonte një BMW me targë TR 3317 N. Sipas të dhënave, aksidenti ka ndodhur, veç të tjerash, edhe për shkak të mungesës së ndriçimit në aksin rrugor ku u godit oficeri i policisë. Ditën e djeshme, në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, nga ora 14:00 – 15:00, Policia e Shtetit ka zhvilluar homazhe në nderim të punonjësit të policisë, inspektor Ruzhdi Çullhaj, i cili ndërroi jetë pas një aksidenti me makinë në krye të detyrës. Burimet zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se drejtues dhe punonjës të Policisë së Shtetit, kolegë dhe miq të të ndjerit, si dhe të afërm të tij, i kanë bërë nderimet e fundit efektivit, i cili humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës në shërbim të komunitetit. Të pranishëm në ceremoninë e zhvilluar kanë qenë edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit. Gjatë fjalës së rastit, shefi i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin Nr. 6, komisar Mynyr Muça, evidentoi profesionalizmin dhe përkushtimin në përmbushjen me korrektësi të detyrave të inspektor Ruzhdi Çullhajt. Inspektor Ruzhdi Çullhaj ka shërbyer për rreth 19 vjet në struktura të ndryshme të Policisë së Shtetit. “Inspektor Ruzhdi Çullhaj është dalluar për kontributin e tij, mobilizimin dhe përkushtimin në përmbushjen me korrektësi të detyrës, në përputhje me ligjin. Ai ka manifestuar gjatë gjithë kohës së shërbimit në Policinë e Shtatit, etikë të lartë dhe sjellje korrekte ndaj qytetarëve, kolegëve dhe eprorëve”, thanë dje zyrtarët në ceremoninë e lamtumirës së oficerit.
Oficeri i RENEA-s
Oficeri i repartit të forcave speciale “RENEA”, Adrian Dibra, ka dalë nga gjendja e rrezikut pas plagosjes dy javë më parë në një operacion shpëtimi për një 60-vjeçar që kërcënoi me vetëvrasje duke u hedhur nga shtylla e tensionit të lartë në rrugën “Don Bosko” në Tiranë. Sipas burimeve nga Spitali Ushtarak në kryeqytet, oficeri i RENEA-s, i cili ra nga një lartësi prej 4-5 metrash ndërsa po zbriste nga shtylla ku shpëtoi jetën e një 60-vjeçari, ka pasur përmirësim të gjendjes së tij në mënyrë të vazhdueshme. Mjekët kanë konfirmuar se oficeri nuk ka pësuar dëmtime në shtyllën kurrizore dhe më pas gjendja e stabilizuar edhe në tru.











