
Ka ndërruar jetë në spitalin e burgut të Tiranës, 84-vjeçari, Gaqo Dumka, i akuzuar për vrasjen horror të Liljana Arapit, natën e 12 gushtit 2011.
Dumka ka gjetur vdekjen pas dy javësh qëndrimi në spital. Ai vuante nga probleme kardiake, probleme që i ishin shfaqur ditët e kohët e fundit.
Dumka qëndronte që prej muajit gusht të vitit 2011, kur ndodhi edhe ngjarja makabre, në qelitë e burgut të Drenovës, por që prej shfaqjes së problemeve të shëndetit ai ishte transferuar në Tiranë.
Gaqo Dumka është akuzuar për masakrimin e 42-vjeçares Liljana Arapi, krimi makabër i regjistruar në datën 12 gusht ku trupi me kokë, krahë e duar të prera i një gruaje u gjet në vendgrumbullimin e mbeturinave. Policia e Korçës arriti të gjejë të gjitha pjesët e trupit të viktimës të mbështjella në qese plastmase, përveç pjesës së kokës, e cila nuk u gjet asnjëherë e plotë.
Masakra e madhe u krye në dhomën e ndenjjes, aty plaku 84-vjeçar kishte fshehur dhe armët e ftohta me të cilat e kishte paramenduar se do ta vriste viktimën me të cilën kishte lidhje intime.
© Panorama.al











