
Vdes në Maternitetin e Korçës, 10 ditë pas kryerjes së një operacioni, një grua 49-vjeçare.Fatbardha Aliko, nënë e dy fëmijëve, nga fshati Borsh i rrethit të Devollit, ndërroi jetë dje, ndërsa shkaqet mbeten ende të paqarta për grupin e mjekëve që kanë asistuar në operacionin e saj. Pritet të dalë rezultati i autopsisë, që do të nxjerrë edhe shkakun e vdekjes. Por dyshimet paraprake janë për një mpiksje gjaku që i ka sjellë vdekjen e menjëhershme gruas së operuar. Dëshmitë nga Materniteti i Korçës, si nga ana e personelit, por edhe nga familjarët e viktimës, tregojnë se 49- vjeçarja Fatbardha Aliko ishte paraqitur në gjendje të mirë shëndetësore pas operacionit të kryer 10 ditë më parë, pasi ajo kishte mish të huaj në mitër. Ajo kishte filluar të ngrihej në këmbë dhe nuk kishte shfaqur probleme, të cilat do t’i detyronin mjekët e Korçës të kryenin një ndërhyrje tjetër për t’i shpëtuar asaj jetën. Paraditen e djeshme pacientja po shkonte në tualetin që ndodhej thuajse përballë dhomës numër 7 ku ajo ishte shtruar. E shoqëruar nga motra e saj, 49-vjeçarja ka pësuar fillimisht një gjendje të fikëti, duke rënë në mes të korridorit, ku ishte tualeti. Humbja e ndjenjave të pacientes së operuar 10 ditë më parë ka vënë në alarm mjekët e shërbimit, të cilët i kanë dhënë ndihmën e menjëhershme mjekësore duke e uluar nga kati i tretë i materniteti në katin e dytë, ku funksionon edhe reparti i kirurgjisë. Sipas personelit, 49-vjeçares nga rrethi i Devollit i është dhënë ndihma mjekësore me oksigjen, por ajo nuk ka mundur të shpëtojë. Rreth orëve të drekës, pasi është dërguar edhe në spitalin e qytetit, është deklaruar vdekja e saj. Trupi i saj ka qëndruar në morgun e spitalit të Korçës për t’u kryer ekspertiza mjeko-ligjore, e cila do të nxjerrë shkakun e vdekjes. Burime nga spitali i Korçës thanë se deri në orët e vona të së shtunës nuk ishte kryer autopsia, pasi pritej edhe ardhja e një mjeku specialit nga Tirana për kryerjen e saj. Lajmi i vdekjes së gruas në spital ka sjellë fillimisht reagim të ashpër e të dhunshëm të familjarëve të saj. Ata thyen xhama e goditën dyert të irrituar nga kjo vdekje e papritur. “U desh ndërhyrja e policisë që të largonin të afërmit e viktimës, sepse po thyenin xhamat në katin e dytë të repartit të kirurgjisë”, u shpreh një nga pjesëtarët e personelit të Maternitetit të Korçës.
Vëllai i 49-vjeçares akuzoi mjekët për pakujdesi sapo u njoftua për vdekjen e motrës së tij, ndërsa gjendja emocionale e tij është ngarkuar duke demonstruar edhe dhunë në spital. Personeli i Maternitetit, në këto rrethana, është detyruar të sinjalizojë policinë për të shmangur tensionin që u krijua në pavijonin e kirurgjisë, ndërsa pacientet e tjera kishin dalë në korridore dhe përjetuan me frikë këtë vdekje të gruas së operuar. Të afërmit e viktimës u larguan forcërisht nga Materniteti, ndërsa Policia e Korçës bëri të ditur se ka nisur hetimi për këtë ngjarje.
Mjekët: Dyshojmë mpiksje gjaku, por presim autopsinë
“Gruaja nga rrethi i Devollit, që vdiq në maternitet, dyshohet se ka pasur një koagulim të gjakut, e njohur ndryshe si mpiksje, nga e cila ka gjetur vdekjen”. Ky është konkluzioni paraprak i mjekëve të këtij materniteti për vdekjen e 49- vjeçares Fatbardha Aliko. Sipas bluzave të bardha, viktima është paraqitur 10 ditë më parë me shqetësime dhe i është nënshtruar operacionit. “Kjo paciente nuk ka qenë shtatzënë, por kishte mish të huaj në mitër dhe për këtë u operua”, bënë të ditur mjekët e Maternitetit, ndërsa theksuan se operacioni kishte shkuar mirë dhe 49-vjeçarja nuk kishte komplikacione të menjëhershme. Sipas tyre, pacientja, në një gjendje normale fizike, kishte filluar edhe të ngrihej në këmbë pas operacionit. Mjekët dyshojnë se mishi i huaj që ka pasur në mitër 49-vjeçarja ka qenë një lloj sëmundjeje e pashërueshme, e cila, edhe pse është ndërhyrë me operacion, ka dhënë pasojat e saj me koagulim të gjakut. “Ne dyshojmë se ka pasur një mpiksje të gjakut, që mund të ketë dhënë pasojat e rënda në zemër ose në tru të kësaj pacienteje, por gjithsesi, do të jetë autopsia ajo që do të përcaktojë shkakun e vdekjes”, u shprehën mjekët e Korçës.
“Kishte dhimbje, mjekët thanë se është mirë”
Rajmonda Gauri, motra e 49-vjeçares që humbi jetën pas operimit në Maternitetin e Korçës, e ka përjetuar rëndë humbjen e familjares së saj. Ajo ka qenë dëshmitare në momentin kur e motra ra në korridorin e spitalit pa ndjenja e disa momente më pas humbi jetën.
Znj. Gauri, në ç’gjendje paraqitej motra juaj pas operacionit?
Motra ime kishte shfaqur kriza me dhimbje prej dy ditësh, por kishte arritur të ngrihej në këmbë. Nuk më tha se ndihej në gjendje të keqe shëndetësore, por e pashë se në tualet i hodhi ujë fytyrës dhe akoma pa më dhënë ndonjë sqarim se si ndihej, i ra të fikët. Mbeti në krahët e mi dhe unë kërkova ndihmë nga personeli. Erdhën pas britmave të mia, pasi motra ime nuk po shfaqte shenja jete. E ulën nga kati i tretë tek i dyti, ku ndodhej kirurgjia. I dhanë oksigjen. Pashë se edhe kjo ndërhyrje nuk po jepte rezultat, pasi mjekët kërkuan ta çonin në spital.
Keni ankesa nga mjekët për trajtimin e saj?
Infermierët dhe mjekët erdhën për ndihmë sapo i ra të fikët dhe më pas i vendosën oksigjenin, por nuk shpëtoi. Nuk mund të them se ka qenë faji i mjekëve, sepse e trajtuan normalisht si gjatë operacionit, ashtu dhe pas tij. Motra ime do të dilte ditën e hënë nga spitali. Madje na thanë që nuk ishte e nevojshme të qëndronte më, pasi gjendja e saj ishte përmirësuar.
Cila ishte sëmundja që vuante motra juaj?
Dy ditë para se të vinte në Maternitetin e Korçës për operacion kishte ankesa për dhimbje në pjesën e barkut. Ne e pyetëm dhe na tha se nuk ishte shtatzënë, por menduam se më mirë ishte të shtrohej në Maternitet. Lindjet e dy fëmijëve më parë nuk i ka pasur me probleme të rënda. Pas kryerjes së operacionit nuk po jepte shenja të ndonjë përmirësimi të dukshëm, por mendonim se kjo vinte nga ndërhyrja kirurgjikale. Dy ditët e fundit kishte kriza me dhimbje të forta, por mjekët na thanë se duhet ta kthenim në shtëpi. Tani presim vetëm rezultatet e autopsisë, por nuk kemi ndonjë ankesë të veçantë për mjekët e Maternitetit të Korçës në trajtimin e saj. Ne nuk kemi denoncuar mjekët apo personelin për ndonjë mjekim apo trajtim të pakujdesshëm nga ana e tyre, sepse nuk dimë ende shkakun e vdekjes. g.a
KORÇE/ GEZIM ASHIMI
© Panorama.al











