Vdekja në Maternitet, 3 mjekë në hetim

Jun 7, 2011 | 11:01
Viktima, Fatbardha Aliko

Prokuroria e Korçës ka marrë në hetim edhe dy mjekë të tjerë të Maternitetit, duke e çuar në tre numrin e të hetuarve për rastin e vdekjes së gruas 49- vjeçare nga Devolli.Fatbardha Aliko ndërroi jetë 10 ditë pasi kreu një operacion në mitër, ndërsa dyshohet se shkak është bërë pakujdesia e mjekëve që kanë kryer ndërhyrjen e saj. Burime të Prokurorisë së Korçës bënë të ditur se mjeku kirurg Gjergji Gjata dhe dy ndihmës të tij në operacionin që i është kryer 49-vjeçares Aliko, janë marrë në pyetje dhe konsiderohen si të pandehur me akuzën paraprake të “mjekimit të pakujdesshëm”. Ata kanë qenë pjesë e ekipit që kreu ndërhyrjen kirurgjikale për heqjen e mitrës së gruas dhe janë përfshirë në hetim si përgjegjës për vdekjen e pacientes pas operacionit. Megjithatë, thelbësore në akuzën që është ngritur ndaj tyre mbeten rezultatet e analizave të autopsisë që i është kryer viktimës, përgjigjet e së cilës pritet të mbërrijnë nga Tirana. “Shkaku i vdekjes së Fatbardha Alikos do të përcaktohet saktësisht vetëm nga analizat e autopsisë. Ndonëse janë në hetim tre mjekët që kryen operacionin, ata do të ndiqen në gjendje të lirë me akuzën e ‘mjekimit të pakujdesshëm’”, bënë të ditur burime nga Prokuroria.
Po dje, Drejtoria spitalore në Korçë ka bërë një mbledhje për këtë rast të vdekjes së 49-vjeçares Aliko. Gjatë analizës që i është bërë këtij rasti, mësohet se mjekët kanë raportuar hap pas hapi ecurinë e operacionit dhe më pas edhe mjekimin e viktimës. Ata kanë pohuar se edhe ditën kur pacientja ndërroi jetë, e kishin vizituar dhe gjendja e saj kishte qenë pa probleme. Mjeku kirurg Gjergji Gjata që kreu operacionin, ashtu edhe ndihmësit e tij në këtë ndërhyrje kirurgjikale kanë vazhduar normalisht punën pas analizës së bërë nga Drejtoria e spitalit. As kjo e fundit nuk ka marrë asnjë masë pezullimi ndaj tyre, derisa fjalën e fundit ta thonë rezultatet që pritet të vijnë nga Tirana. Ndërkohë që drejtori i Maternitetit, Reitano Galica, i pyetur dje për këtë rast u shpreh se do të presë përgjigjen e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Lidhur me vdekjen e 49- vjeçares nga fshati Borsh i Devollit, dyshimet e mjekëve kanë të bëjnë për një vdekje nga mpiksja e gjakut. Por ende nuk është sqaruar nëse kjo tromboemboli, siç njihet në gjuhën mjekësore, i është shkaktuar në zemër apo në tru. Të afërmit e Fatbardha Alikos, para kryerjes së operacionit të saj rreth 10 ditë më parë, i kanë kërkuar mjekëve një garanci nëse duhej kryer ky operacion për kancerin e mitrës. Mësohet se mjekët kanë dhënë sigurinë që pacientja do t’i mbijetonte me sukses këtij operacioni. Pas ndërhyrjes, ajo nuk ka pasur komplikacione, por pësoi vdekje të menjëhershme si pasojë e asaj që dyshohet për trompozë.

Mungojnë operacionet

Gjatë ditës së djeshme, në Maternitetin e Korçës kanë munguar ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara për rastet jo shtatzëna. Ngjarja e së premtes ka stepur mjekët dhe vetë pacientët, ndërkohë që vetë bluzat e bardha kanë qenë në krye të detyrës, duke u përfshirë paraditen e djeshme dhe në një analizë të detajuar të rastit të vdekjes së 49-vjeçares.

Ngjarja ne maternitet

Te premten e kaluar, pacientja e Maternitetit te Korçës, Fatbardha Aliko, humbi ndjenjat në ambientet spitalore dhe ndërroi jetë pak minuta më pas. 49- vjeçarja nga Devolli ishte operuar 10 ditë para se të ndërronte jetë, pasi kishte mish të huaj në mitër. Sipas mjekëve, gjendja e saj ishte përmirësuar, por papritur ajo u rëndua në pak minuta dhe nuk mundi të mbijetonte, ndonëse ndërhyrja e bluzave të bardha ishte e menjëhershme

 

KORÇE/ GEZIM ASHIMI

© Panorama.al

Te lidhura