Është dënuar me dy vite burg Eric Fleming, këshilltar për rehabilitimin nga varësitë, i cili ka pranuar se ka shpërndarë doza ketamine të lidhura me vdekjen e aktorit të njohur Matthew Perry, i famshëm për rolin e tij në serialin Friends.
Fleming, 56 vjeç, ishte deklaruar fajtor në vitin 2024 për komplot me qëllim shpërndarjen e ketaminës dhe për shpërndarje të një substance të kontrolluar që rezultoi në vdekje ose dëmtim serioz trupor.
Sipas hetimeve, ai kishte lidhur Perry-n me shpërndarësen e drogës Jasveen Sangha, e cila më herët është dënuar me 15 vite burg.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Fleming ka ndihmuar në shpërndarjen e 51 flakonëve ketamine për aktorin në tetor të vitit 2023, përfshirë edhe dozën që dyshohet se i shkaktoi vdekjen.
Gjatë seancës në një gjykatë federale në Los Anxhelos, ai ka deklaruar se ndihet i përndjekur nga veprimet e tij, duke i cilësuar ato si “një makth nga i cili nuk zgjohet”.
Në një letër drejtuar gjykatës, Fleming ka pranuar se ndodhej në një periudhë rikthimi në varësi dhe se ishte i dëshpëruar për para, ndërsa ka shprehur pendesë për ngjarjen.
“E dija çfarë kisha bërë dhe sa dhimbje do të shkaktonte. I kërkoj falje familjes së Matthew Perry-t”, ka shkruar ai.
Matthew Perry u gjet i pajetë më 28 tetor 2023 në xhakuzin e shtëpisë së tij në Los Anxhelos, pas një mbidoze aksidentale droge. Ai kishte vite që përballej me varësinë nga substancat. Sipas raportit mjeko-ligjor, shkaku i vdekjes ishte efekti akut i ketaminës, ndërsa mbytja u cilësua si faktor dytësor.
Në këtë çështje janë dënuar edhe disa persona të tjerë, përfshirë mjekët Salvador Plasencia dhe Mark Chavez, ndërsa ish-asistenti personal Kenneth Iwamasa pritet të marrë dënimin e tij gjatë muajit maj.
Mbrojtja e Fleming kishte kërkuar një dënim prej tre muajsh burg federal dhe tre vjet mbikëqyrje me kusht. Ai kishte qëndruar i lirë me garanci për rreth dy vite, por tashmë është urdhëruar të dorëzohet tek autoritetet brenda 45 ditëve për të vuajtur dënimin.
Matthew Perry u bë i njohur në mbarë botën për rolin e Chandler Bing në serialin kult Friends, ku luajti përkrah aktorëve të njohur të Hollywood-it, si David Schwimmer, Lisa Kudrow, Courteney Cox, Jennifer Aniston dhe Matt LeBlanc.
© Panorama.al












