Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë nisur zyrtarisht në vendin ku humbën jetën pesë zhytës italianë në Maldiveve, kur ekipet e Rojës Bregdetare kanë mbërritur në zonë me mjete shpëtimi dhe personel të specializuar.
Në operacion marrin pjesë zhytës të Rojës Bregdetare dhe të policisë lokale, së bashku me një ekspert italian të zhytjes që po bashkëpunon me autoritetet në fazat më delikate të ndërhyrjes.
Kushtet e detit dhe motit mbeten të vështira dhe mund të komplikojnë operacionet e rikuperimit.
Pavarësisht kësaj, është planifikuar një zhytje e parë eksploruese për të identifikuar pikat e hyrjes në shpellën ku humbën jetën pesë shtetasit italianë.
“Besohet se katër zhytësit e tjerë ndodhen në të njëjtën shpellë ku u gjet trupi i parë, e cila shtrihet deri në një thellësi rreth 60 metra”, u tha përmes një deklarate nga Forcat Kombëtare të Mbrojtjes së Maldiveve (Mndf), të cilat sqaruan se operacioni i kërkimit dhe rikuperimit të zhytësve italianë konsiderohet “me rrezik të lartë” dhe përfshin zhytës të specializuar, mjete detare dhe mbështetje ajrore.
“Moti në momentin e zhytjes ishte i mirë, deti i qetë dhe dukshmëria shumë e mirë”, ka rrëfyer për Ansa një nga personat në bordin e anijes turistike “Safari Boat Duke of York”, nga ku u hodhën në ujë pesë italianët.
“Nuk kemi asnjë ide se çfarë mund të ketë ndodhur në ato shpella nënujore” tha ai, ndërsa shtoi se është ende herët për të bërë hipoteza. “Duhet ende të nxirren katër trupa. Fizikisht jemi mirë, por jemi të tronditur”, tha ai.
“Zhytja duhej të zgjaste më pak se një orë. Ata u zhytën rreth orës 11:00 dhe kur afërsisht në orën 12:00 nuk i pamë të dilnin në sipërfaqe, nisëm kërkimet me varkë”, deklaroi një tjetër person në bord për Ansa.
“Ishim vetëm disa qindra metra larg tyre”, tha ai, duke shkruar se dhe dukshmëria ishte shumë e mirë.
“Mendonim se po kryenin procedurat e kompensimit. Pas një kontrolli të shpejtë pa rezultat, njoftuam menjëherë Njësinë e Krizës në Farnesina. Ndihma mbërriti shumë shpejt”, tha ai.
Prokurorët e Romës, të koordinuar nga kryeprokurori Francesco Lo Voi, janë në pritje të komunikimit zyrtar nga konsullata lidhur me ngjarjen tragjike ku humbën jetën Monica Montefalcone, vajza e saj Giorgia Sommacal, Muriel Oddenino, Gianluca Benedetti dhe Federico Gualtieri.
Pesë viktimat ndërruan jetë gjatë një zhytjeje në rreth 60 metra thellësi. Pasi të mbërrijë dokumentacioni nga përfaqësia diplomatike, magistratët do të vlerësojnë veprën penale për të cilën do të procedohet dhe mundësinë e delegimit të hetimeve tek forcat e rendit.
© Panorama.al












