Vdekja e minatorit, të lirë drejtuesit e galerisë

Jul 5, 2012 | 14:29
Gjykata e Peshkopisë

PESHKOPI – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër dha dje masën e sigurisë për pronarin e minierës së kromit, ku mbeti i vdekur minatori Dilaver Koçi dhe dy vartësit e tij. Rreth orës 17:00 gjykata ka vendosur që Ramazan Nesimi, pronar i galerisë 41, Bardhyl Rama kryeinxhinier dhe Sabah Hoxha teknik, të lihen me masën “detyrim paraqitjeje”. Prokuroria Dibër ka kërkuar që këta shtetas të qëndronin në “burg pa afat” duke paraqitur prova e dëshmi që fajësojnë Nesimin, Ramën e Hoxhën për vdekjen e 53-vjeçarit, baba i tre fëmijëve. “Arrestimi i këtyre shtetasve u konsiderua i ligjshëm dhe për ne kjo është shumë e rëndësishme, thanë zyrtarë të organit të akuzës Dibër. Po ashtu ne i kemi paraqitur gjykatës dokumente e prova që faktonin se ata duhet të qëndronin në një masë më të fortë sigurie. Sapo të zbardhet vendimi, ne do ta apelojmë”, sqaruan të njëjtat burime. Tre të arrestuarit dhe avokatët e tyre mbrojtës janë shprehur se ngjarja ishte aksidentale dhe është shkaktuar nga pakujdesia e treguar nga i ndjeri Dilaver Koçi. Gjykata ka vendosur në fund të shqyrtimit të çështjes që tre shtetasit e arrestuar për shkelje të rregullave të sigurimit teknik të kenë masën e “detyrimit të paraqitjes”, gjë që nuk është pritur mirë nga Prokuroria Dibër. Në këtë seancë nuk ka pasur familjarë të viktimës, por jashtë godinës tre të arrestuarit janë pritur nga njerëzit e tyre. “Ne, tha një zyrtar i Prokurorisë Dibër, do ta apelojmë këtë vendim sepse e konsiderojmë të padrejtë. Minatori la tre fëmijë jetimë dhe nuk mund të tolerojmë pafundësisht njerëzit përgjegjës për humbjen e jetëve në Bulqizë”.                           h.p

© Panorama.al

Te lidhura