Një ditë, në të ardhmen, kur do të hapen arkivat e bisedave të Marti Ahtisarit dhe Çernomerdinit me Milosheviçin gjatë majit dhe në fillim të qershorit të vitit 1999, supozoj se do të zbardhet edhe e vërteta se si ka ndodhur që në pjesën më të madhe të territorit të Kosovës të largohet administrata serbe, ndërkaq që në katër komunat në Veri u lejua instalimi i një regjimi tjetër, formalisht nën administrimin e UNMIK-ut dhe KFOR-it, por praktikisht me struktura paralele serbe që do të mbesin deri edhe sot nën kontrollin e Beogradit. Besoj se ky……krijim i një zone speciale në Veri, që ka jetuar ndaras ose edhe jashtë Kosovës, ka qenë pjesë e marrëveshjes sekrete me Milosheviçin, një koncesion i dytë i madh që i është bërë atij, pos futjes të asaj fjalie kontraverse në Rezolutën 12 44, që thotë se Kosova duhet të mbetet pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë. Këto dy kërkesa kanë qenë dy kushtet kryesore në të cilat ka insistuar Milosheviçi dhe vetëm pasi i ka siguruar ato, ai është pajtuar me marrëveshjen e Kumanovës, duke e trumbetuar pastaj si “fitore të Serbisë”.
Pakkush në atë kohë e ka kuptuar dinakërinë dhe kurthin e Milosheviçit. Në të vërtetë, liderët perëndimorë e kanë ditur se çfarë po bëjnë, por marrëveshjen e Kumanovës e kanë marrë si një kompromis të çastit me Serbinë, ashtu sikur e patën bërë kompromisin me Milosheviçin edhe në rastin e marrëveshjes së Dejtonit. Ata kanë dashur që të ndalin luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë e pastaj edhe në Kosovë, duke siguruar objektivat kryesorë, që Bosnja-Hercegovina të mbetet shtet i pavarur me një rregullim të ri të brendshëm, kurse në rastin e Kosovës, që të largohen forcat dhe administrata serbe, e për objektivat e tjera kanë menduar se mund t’i sigurojnë më vonë, pasi Milosheviçi nuk do të jetë më në pushtet dhe Serbia do të dobësohej edhe më ushtarakisht dhe politikisht.
Dhe, vërtet, të paktën në rastin e Kosovës, fuqitë perëndimore nuk kanë pritur gjatë që ta korrigjojnë lëshimin e qershorit të vitit 1999, duke e injoruar Rezolutën 12 44 dhe Këshillin e Sigurimit në procesin e sigurimit dhe të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Por, Veriu i Kosovës, megjithatë, edhe pas pavarësisë, u la si problem që duhet të zgjidhet gradualisht. Vetëm se Serbia, edhe pas Milosheviçit, nuk po dorëzohej aq lehtë siç supozohej, pasi që garniturat “demokratike” të pushtetit në Serbi që nga viti 2000 nuk janë pajtuar assesi me realitetin e ri të krijuar në terren. Në asnjërën nga pikat e kompromiseve me Perëndimin që ua ka lënë trashëgimi Milosheviçi, edhe në rastin e Bosnjës, edhe në rastin e Kosovës, Serbia nuk po tregon realizëm. Mund të thuhet se të gjitha qeveritë e Serbisë, pas Milosheviçit, nuk kanë lëshuar pe në atë që Milosheviçi i konsideronte si “fitore” të tij. Serbia është dobësuar ndërkohë politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht, madje ka bërë edhe përshtatje dhe kompromise të shumta me Perëndimin, vetëm se nuk ka hequr dorë as për një milimetër nga tre bedenat e fundit të pamposhtura të projektit të Serbisë së Madhe: nga Republika Srbska, që kërcënon vazhdueshëm me një projekt të irredentizmit serb, nga Rezoluta 12 44 e KS, për të cilën Beogradi ende kapet si i mbyturi për kashte ngase beson se me të i garantohet sovraniteti mbi Kosovën (nëse jo de facto, atëherë de jure!), si dhe nga kontrolli i Veriut të Kosovës, që i ka disa kufizime, por është treguar efektiv.
Por, tani që qeveria e Kosovës ndërmori aksionin e reciprocitetit tregtar dhe tentoi marrjen e dy pikave kufitare dhe doganore në Veri të Kosovës, ka gjasa që të goditet fort dhe pariparueshëm e gjithë kjo trashëgimi e Milosheviçit që ia zë frymën edhe vetë Serbisë. Në shikim të parë duket sikur nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim i madh në Veri, pos që qeveria e Kosovës ka treguar më shumë guxim dhe dëshirë që të mbyllë dy pikat kufitare nga depërtonte ilegalisht malli dhe kontrabanda marramendëse nga Serbia në Kosovë, e përkrahur edhe nga KFOR-i, i cili këto dy pika i bëri zona ushtarake dhe ndaloi efektivisht qarkullimin e mallrave. Serbët u përgjigjen me të vetmen armë që kishin, bllokadën e rrugëve, madje edhe djegien kriminale të vendkalimit Jarinje dhe aktivizimin edhe të snajperëve që morën jetën e një polici kosovar dhe kërcënuan edhe jetët e policëve të tjerë dhe ushtarëve të KFOR-it. Por, këto bllokada, të ngjashme me “ballvan revolucionet” e luftërave në ish-republikat jugosllave që i vizatonin kufijtë e ëndërruar të Serbisë së Madhe, ishin vetëm farsë dhe blof mbi kinse vendosmërinë e popullsisë serbe, që pas vetes nuk e kishte më ndonjë kërcënim as përafërsisht serioz, sa ai i viteve ’90, kur ushtria e fuqishme jugosllave po shndërrohej në ushtri e agresioneve serbe. KFOR-i e as policia e Kosovës nuk u provokuan nga “rebelimi” i serbëve në Veri që kontrolloheshin nga Beogradi, sepse ato barrikada ishin më shumë paradë, sesa pengesa afatgjate dhe të pakapërcyeshme.
Marrëveshja tripalështe e Prishtinës, Beogradit dhe KFOR-it rreth krizës doganore, ndonëse e përkohshme, do të mund të ketë rëndësinë e një kthese që e prish status quo-në shumëvjeçare në Veri. Ajo ndërtoi një standard më të avancuar të kufijve doganorë, por edhe shtetërorë të Kosovës, ku Veriu nuk do të vazhdojë të jetë më zonë e veçantë dhe jashtë ligjit. Por, leksioni kryesor mendoj se është ai demonstrimit të dobësisë dhe brishtësisë së Beogradit në manipulimin e serbëve në Veri. Jo vetëm pse dëshpërimisht e do statusin e kandidatit për BE, por edhe për shumë arsye të tjera politike dhe ekonomike, Serbia e sotme nuk është faktor që i kushtëzon ose mund t’i provokojë me dhunë zgjidhjet e problemeve.
© Panorama.al












