Vdekja e deputetes, Thaçi ngushëllon familjen

Jun 20, 2011 | 10:04

PRISHTINE- Kryeministri Hashim Thaci ka ngushelluar permes nje telegrami familjen e deputetes së Kuvendit të Kosovës, Nekibe Kelmendi, e cila nderroi jete pas nje semundjeje te rende.

Në këtë telegram, dërguar edhe Kuvendit të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, zoti Thaçi ka shprehur pikëllim të madh për vdekjen e deputetes, ish ministres së drejtësisë dhe veprimtares shumëvjeçare, Nekibe Kelmendi.

“Zonja Kelmendi, si nënë dhe bashkëshorte, përjetoi tmerret e dhunës dhe të gjenocidit të regjimit serb mbi popullin e Kosovës, duke përjetuar vrasjen e bashkëshortit dhe fëmijëve të saj”, thuhet pos tjerash, në telegramin e zotit Thaçi.

Më tutje ai theksoi se ajo “gjeti forcën që të vazhdoj përkushtimet e saj për të mirën e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”.

Duke e përkujtuar punën e saj si ministre e drejtësisë, Thaçi në telegramin e tij, thekson se “zonja Kelmendi do të mbetet përherë një bashkëpunëtore e sinqertë, e angazhuar në forcimin dhe konsolidimin e shtetit demokratik të Kosovës, për të cilin ajo dhe familja e saj sakrifikuan shumë”, ka njoftuar kryeministria.

Kelmendi në qeverinë e kaluar të Kosovës, ishte ministre e Drejtësisë, si dhe ka kryer funksione të larta partiake në LDK.

Në vitin 1999, ditën e parë pas fillimit të bombardimeve, forcat okupuese serbe ia vranë bashkëshortin, avokatin e njohur dhe aktivistin e të drejtave të njeriut, Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e saj, Kushtrim e Kastriot Kelmendi.

© Panorama.al

Te lidhura