TIRANE – Policia e kryeqytetit tha dje se vdekja e shtetasit Gëzim Hyka, i cili u qëllua me çifte mbrëmjen e së martës në fshatin Hekal, në periferi të Tiranës, nuk ka qenë vetëvrasje. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, grupi hetimor që shkoi në vendin e ngjarjes zbardhi detajet e krimit duke arritur të provojë se 39-vjeçari është vrarë nga pakujdesia, por më pas familjarët dhe banorët e zonës janë munduar “të mbrojnë” autorin e krimit. Në një deklaratë të Policisë së kryeqytetit thuhet se Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë dhe Specialistë të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit bënë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit Sherbet Shaban Haka, 53 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Hekal Tiranë. Policia theksoi se kapja dhe më pas arrestimi i tij u krye sepse dje rreth orës 18:30, në vendin e quajtur Kodra e Shonës, në fshatin Hekal Tiranë, dyshohet se ka vrarë nga pakujdesia me një armë gjahu me leje shtetasin Gëzim Islam Hyka, 39 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Hekal Tiranë. Burimet zyrtare bënë të ditur se me të marrë njoftimin për ngjarjen, grupi hetimor shkoi në vendin e ngjarjes, ku në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë gjahu e kalibrit 12 mm, tip “Breda”, me nr.4222385 dhe 2 copa gëzhoja. Pas kryerjes së veprimeve ty nevojshme hetimore, policia tha se materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “vrasje nga pakujdesia”. Ngjarja e ndodhur mbrëmjen e 48 orëve më parë fillimisht u hetua nga policia si vetëvrasje. Kjo, pasi menjëherë pas goditjes së 39-vjeçarit me armën e gjahut çifte, shërbimet e policisë shkuan në vendin e ngjarjes dhe nisën marrjen në pyetje të dëshmitarëve. Nga deklarimet e para të personave të pranishëm pranë skenës së krimit, policisë iu tha se 39-vjeçari kishte qëlluar veten. Më pas, gjatë verifikimeve policia gjeti faktorë plotësues (barut) në rrobat e shtetasit Sherbet Haka, ndaj vendosi arrestimin e tij.











