Vatra të reja zjarri në 24 orët e fundit në Sarandë, Berat e Lezhë

Aug 24, 2011 | 10:43

Zjarret vijojnë të përpijnë dhjetëra hektarë pyje e kullota në rrethe të ndryshme të vendit. Kështu, gjatë 24 orëve të fundit, në rajonin e Sarandës e Delvinës janë regjistruar 65 vatra zjarri. Zonat më problematike janë fshatrat Jermë në komunën e Livadhjasë, Dermishi në komunën e Dhivrit dhe zona e nën-Muzinës në komunën e Mesopotamit. Shefi i shërbimit zjarrfikës në Sarandë, Rakip Muzhai, u shpreh se ndërhyrja për fikjen e flakëve ka qenë në kohë. Sipas tij, janë djegur masive kullotash dhe pemë, ndërkohë që u shpëtuan, falë ndërhyrjes së tyre, banesa e bagëti. Ndërkaq, gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar shtatë zjarre në qarkun e Beratit, duke djegur 400 rrënjë ullinj dhe qindra hektarë kullota. Policia bëri të ditur se dy persona po ndiqen penalisht si autorë të zjarrvënies. Pas situatës së krijuar, forca të shumta të zjarrfikëses, policia si dhe banorë të zonës kanë ndërhyrë duke arritur të vënë nën kontroll zjarret me përmasa të mëdha. Burime të Policisë bënë të ditur se zjarret kanë rënë në zonën e Tërpanit, në vendin e quajtur “Qafa e Kumbullave” në të cilën u dogjën 25 hektarë me kullota. Policia tha se është identifikuar 78- vjeçari L. Turhani, nga fshati Tërpan, i cili po ndiqet në gjendje të lirë. Vatra të tjera janë shënuar edhe në fshatin Dushnikë, Perondi, në afërsi të poligonit të repartit të aviacionit dhe në zonën e Skraparit, në fshatin Strorë, komuna Qendër, ku u dogjën qindra rrënjë ullinj. Zjarr i fuqishëm ra dje edhe rrëzë malit Balldren, në afërsi të qytetit të Lezhës, duke rrezikuar dhjetëra banesa. Në vendin e ngjarjes mbërritën zjarrfikëset dhe policia, ndërsa në ndihmë të tyre janë vënë edhe banorë të zonës, pasi flakët iu rrezikonin shtëpitë e tyre.

© Panorama.al

Te lidhura